Maqedoni
Aksidenti në Bullgari, Boçvarski: Kush ka bërë lëshime do të përgjigjet
06.12.2021 14:08
Ende zgjat hetimi rreth aksidentit në autostradën Struma ku humbën jetën 45 persona...

Ende zgjat hetimi rreth aksidentit në autostradën Struma ku humbën jetën 45 persona, pasi tërësisht u dogj autobusi i Besa-Trans. Po kontrollohet se cili institucion dështoi. Autoritetet thonë se do të përgjigjet secili që ka bërë lëshime. Ministri i Transportit Boçvarski tha se janë kontrolluar dy vozitësit e autobusit se e kanë pasur certifikatë, por jo edhe të gjithë vozitësit tjerë të kompanisë Besa-Trans.
“Ka institucione të cilat punojnë dhe hetojnë dhe në fund do të japin përgjigjen e tyre se ku është bërë lëshimi, në përputhje me atë secili do të bart përgjegjësitë e veta. Ne i kontrolluam të dy vozitësit, që kanë vozitur këtë autobus dhe i kemi dhënë të gjitha dokumentet në prokurori. Kur do të marrim informacion nga institucion apo organ kompetent, nga prokuroria apo nga MPB, se kush janë vozitësit tjerë që kanë vozitur ne menjëherë do ti kontrollojmë në bazën tonë të të dhënave.”, tha Bllagoj Boçvarski, ministër për tranpsport dhe lidhje.
BE: Synimi ynë, 0 viktima nga aksidentet në 2050-ën
Hetuesit në Sofje treguan se kushtet e rrugës nuk kanë qenë shkak për tragjedinë, por se kanë pasur ndikim. Ministri Boçvarski thekson se infrastruktura rrugore në vend po përmirësohet, po ndërtohen më tepër autostrada si dhe po rikonstruohen rrugët e ndërtuara. Këto ditë duhet të votohet ligji për të vazhduar punimet në autostradën Kërçovë-Ohër. Nga BE thonë se rrugët evropiane janë më të sigurta.
“Bashkimi Evropian i ka rrugët më të sigurta në botë. Qëllimi ynë është që deri në vitin 2050, numrin e personave që humbin jetë nga aksidentet e trafikut ta ulim në zero. Por, nuk duam që këtë ta arrijmë vetë, por duam ta kyçim edhe rajonin përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut.”, tha Stefan Hudollin, delegacioni i BE-së në RMV.
Në vendin tonë në fazë përfundimtare është formimi i Agjencisë për Siguri të Rrugëve. Propozim ligji është veçmë i gatshëm.
ERSAN PAJAZAITI
