Ekspozitë në përkujtim të Hasan Prishtinës, në Shkup, Prishtinë e Tiranë
Instituti për Trashëgimi Kulturore....

Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në RMV, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, organizoi sot një ekspozitë kushtuar veprimtarisë politike të Hasan Prishtinës, në përkujtim të 100 vjetorit të emërimit të tij si kryeministër i Shqipërisë.
Ekspozita hapet njëkohësisht në ambientet e Ministrisë për Sistem Politik dhe Mardhënie mes Bashkësive në Shkup, në Ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë dhe në Qendrën për Dialog, në kuadër të kryeministrisë në Tiranë.
Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi , me këtë rast tha se përmes kësaj ekspozite ne përkujtojmë veprat e tij për të cilat jemi më se krenar dhe mundohemi që me të gjitha mundësitë të mos harojmë historinë e pastër shqipe ta trashëgojmë tek gjeneratat e reja.
Vetë fakti që kjo ekspozitë mbahet në tre qendrat më të mëdha shqiptare Tiranë-Shkup-Prishtinë, tregon qartë gjurmën e pashlyeshme që Hasan Prishtina ka lënë me veprimtarinë e tij.
Ideologu i Lëvizjes Kombëtare që rezultoi me pavarësinë e Shqipërisë dha kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e kombit shqiptar në periudhën më të rëndësishme historike”, tha Zëvendëskryeministri i parë, Grubi.
Sipas tij, Hasan Prishtina si një strateg, atdhetar dhe diplomat ka mbështetur financiarisht shkollimin e fëmijëve në shkollat shqipe dhe sot gjithë janë krenar që shtatorja e tij qëndron në mes të Shkupit.
“Hasan Prishtina si strateg ishte në krye të kryengritjeve të viteve 1908-1912. Si atdhetar dhe diplomat nuk u pajtua me copëtimin e tokave shqiptare dhe ngriti zërin në Konferencën e Parisit dhe në Lidhjen e Kombeve. Mbështeti financiarisht shkollimin e fëmijëve në shkollat shqipe kurse për organizimin e kryengritjeve shkriu një pjesë të madhe të pasurisë. Sot, ne jemi më se krenar që në mes të Shkupit historik e kemi shtatoren e tij, bulevardi i cili na lidh me Kosovën mban emrin e tij, shumë institucione arsimore mbajnë dhe lartësojnë emrin e kolosit të madh shqiptar, Hasan Prishtina. Vazhdojmë edhe më tutje ta lartësojmë emrin e tij dhe ti kultivojmë veprat e tij gjeneratë pas gjenerate”, u shpreh mes tjerave Grubi.
