Omicron vijon të përhapet, rregulla të reja në SHBA dhe Britaninë e Madhe

06.12.2021 17:13

Rastet me Covid-19 në SHBA janë në rritje...

Rastet me Covid-19 në SHBA janë në rritje, ndërsa varianti i ri Omicron vijon të përhapet.

Mbi 100 mijë raste me Covid-19 në ditë. Kjo është mesatarja e raportuar në Shtetet e Bashkuara, numri më i lartë i përhapjes në dy muaj.

Nga sot, hyjnë në fuqi rregullat e reja. Thuajse të gjithë pasagjerët duhet të kenë një test negativ për Covid-19, të kryer një ditë përpara nisjes. 

Çdo shtetas i huaj që udhëton duhet të jetë i vaksinuar plotësisht dhe maska duhet të mbahet nga personat në aeroporte, mjete të Transportit Publik si avionë, trena dhe autobusë.

Edhe shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar alarmojnë se Omicron mund të shndërrohet në variantin më mbizotërues të virusit korona brenda pak javësh.

Sipas tyre, Omicron po përhapet më shpejt sesa varianti Delta. Aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar janë mbi 1.000 raste me Omicron.Megjithatë, shifrat zyrtare janë 246 të infektuar me variantin e ri. Për të parandaluar përhapjen e Omicron, qeveria britanike ka ashpërsuar rregullat e udhëtimit. Duke nisur nga e marta, çdo udhëtar mbi 12 vjeç që hyn në Britani duhet të ketë me vete një test negativ për Covid-19. Gjithashtu, Britania zgjeroi listën e kuqe duke mos lejuar udhëtimet me Nigerinë.