Maqedoni
Përurohet objekti shkollor në Merovë të Zhelinës
18.12.2014 18:29
Në fshatin Merovë, Komuna e Zhelinës, u bë përurimi solemn i objektit të ri shkollor të Shkollës Fillore Lokale “Pashko Vasa”...

Me këtë rast, ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, tha se këta nxënës janë e ardhmja e Republikës së Maqedonisë.
Vetëm duke investuar në aktivitetin edukativo-arsimor ne mund të presim prosperitet për shtetin dhe komunën.
“Dy vjet më parë, kur u vendos gurthemeli për ndërtimin e shkollës së re, “skeptikët” thanë se ky është edhe një investim i dështuar dhe se në shkollë nuk do të vendoset asnjë tullë. Sot me krenari para jush, por edhe para tyre mund të them se kjo shkollë është një nga më modernet, e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme mësimore të nevojshme për kryerjen e procesit edukativo-arsimor”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
“Kontributi i madh për përfundimin e këtij objekti është i ministrit të Arsimit, Abdylaqim Ademi, nga i cili kemi garanci të fuqishme se vitin e ardhshëm do të lëshojmë në përdorim shkollën në Kopancindoll”- tha kryetari i Komunës së Zhelinës, Fatmir Izairi.
Ademi, tha se investimet e MASH-it nuk do të ndalojnë këtu dhe se do të vazhdojnë derisa çdo nxënës nuk ndjen të mirat e arsimit modern.
Në këtë shkollë mësimin e ndjekin 134 nxënës të ndarë në dy turne. Shkolla ka pesë klasa, një laborator kompjuterik, si dhe zyrat për stafin mësimdhënës.
FLUTURA LATIFI
