Botë

Takimi Biden-Putin, tensionet rreth Ukrainës tema kryesore

07.12.2021 14:33

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, pritet të mbajnë një takim nëpërmjet video lidhjes...

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, pritet të mbajnë një takim nëpërmjet video lidhjes, i cili do të fokusohet në tensionet që kanë shkaktuar dyshimet se Rusia mund të tentojë ta pushtojë Ukrainën. Mosbesimin e kanë rritur 175 mijë trupat ruse të vendosura në kufirin me Ukrainën, prandaj presidenti amerikan pritet të tentojë ta bind homologun rus për tërheqjen e tyre.
 
“Mund të prisni se shqetësimi ynë për aktivitetet ushtarake në kufirin me Ukrainën do të theksohen në një pjesë të diskutimit. Qëllimi ynë është që në mënyrë diplomatike të theksojmë se ky është momenti që Rusia duhet ta tërheqë përforcimin e saj ushtarak nga kufiri. Diplomacia është rruga e vërtetë, por do të vazhdojmë të koordinohemi ngushtë me parterët tanë për një sërë sanksionesh ekonomike dhe hapa që mund të merren nëse presidenti Putin vendos të shkojë përpara.”,- deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Xhen Psaki.
 
Por, Moska zyrtare ka mohuar se është duke përgatitur invasion në Ukrainë, duke theksuar se forcat ruse po lëvizin në territorin e saj për qëllime mbrojtëse. Rusia vazhdon të jetë kategorikisht kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO.  
 
“Insistojmë në përgatitjen e marrëveshjeve konkrete që do të përjashtojnë çfarëdo veprimesh të mëtutjeshme të NATO-s në lindje dhe shpërndarjen e sistemeve të armatosura që na kanosen në afërsi të territorit të Rusisë.”,- u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
 
Por, presidenti amerikan ka thënë se nuk pranon linja të kuqe të vendosura nga Rusia. 
 
“Ne jemi të vetëdijshëm për aksionet e Rusisë një kohë të gjatë dhe pritshmëritë e mija janë se do të kemi diskutime të gjata me Putinin.”,- theksoi presidenti i ShBA-ve, Xho Biden.
 
Bisedimet po zhvillohen në stilin e luftës së ftohtë, thotë një ekspert rus, i cili nuk pret dy liderët të arrijnë marrëveshje.
 
“Bëhet fjalë për parime fondamentale të vendosura para 30 vitesh mes Rusisë dhe perëndimit. Rusia kërkon të revidohen këto parime, perëndimi thotë se nuk ka bazë për këtë, prandaj është e pamundur të arrihet marrëveshje.”,- u shpreh analisti politik nga Moska, Fjodor Llukjanov.
 
Në takim do të bëhet fjalë edhe për tema tjera me rëndësi ndërkombëtare. si armët nukleare, siguria sajbers, apo edhe rreth Sirisë, Afganistanit dhe Koresë veriore. 
 
GYLTENE SINANI