Zgjerimi i shumicës, Zaev informoi partnerët e koalicionit

07.12.2021 14:45

Prioritetet e qeverisë edhe përkundër kyçjes së Alternativës....

Prioritetet e qeverisë edhe përkundër kyçjes së Alternativës në qeveri mbeten të njëjta, ka njoftuar kryeministri, Zoran Zaev, partnerët e koalicionit pas nënshkrimit të marrëveshjes me Alternativën për kyçje në qeveri.

Sipas njoftimit të kabinetit qeveritar, Zaev ka siguruar partnerët se prioritare mbeten sfidat aktuale, sikurse kontesti me Bullgarinë, kriza energjetike dhe shëndetësore.

“Kryeministri Zaev i njoftoi liderët e koalicionit me detajet nga marrëveshja me Alternativën, si dhe me përmbajtjen e dokumentit Parimet bazë për përmirësimin e programit të punës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili duhet të saktësohet dhe të sqarohet me qëllim që të bëhet pjesë përbërëse e programit të ri qeveritar. Zaev informoi edhe për pjesën e marrëveshjes me të cilën Alternativa ndërmerr përgjegjësi për aktivitetet  në disa ministri, institucione, njësi ose bordet rajonale.”,- thuhet në njoftimin e qeverisë.

Zgjerimi i shumicës, Mickovski: Përpjekja e fundit për shkatërrim të Maqedonisë

Por, kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickovski, duke e cilësuar zgjerimin si afatshkurtër dhe tregti me poste, thotë se marrëveshja ka shkaktuar pakënaqësi jo vetëm brenda koalicionit, por edhe te vetë socialdemokratët. Sipas kreut të VMRO–DPMNE–së, kjo është tendencë e fundit e pushtetit për të varfëruar qytetarët.

“Mua kjo më ngjason në aktin e fundit për shkatërrimin e Maqedonisë në regji të Zoran Zaevit dhe LSDM–së, pasi që këtë që e shohim, e që ndodhi ditët e fundit paraqet jokulturë politike të Zoran Zaevit dhe LSDM–së dhe përpjekje që të vazhdojnë për disa javë afatin e tyre politik. Kjo që po ndodh është e turpshme pasi politika u kthye në tregti si në tregun e gjelbër. Në vend që të flasim për strategji, për vizion, vlera, projekte dhe zhvillim, debati po bëhet se kush, sa vende ministrash e drejtorësh ka marrë, sa anëtarë në bordet drejtuese dhe mbikëqyrëse, dhe në fund të ditës, gjithë këtë e paguan qytetari i varfër.”,- u shpreh kryetari i VMRO–DPMNE–së, Hristijan Mickovski.

Paknaqësi shfaqën edhe vetë partnerët e koalicionit duke filluar nga Lidhja Demokratike e Pavle Trajanov i cili e zgjerimin e quajti si tendencë për të zhbërë bilancin etnik brenda qeverisë.

Marrëveshja Zaev – Gashi erdhi në fundjavë, e cila i mundëson Alternativës që të drejtojë tre ministri, atë të shëndetësisë, shoqërisë informatike dhe një pa resorë si dhe do të përfaqësohet me tre zëvendësministra. (Meral Ismaili, TVM2)