Maqedoni

Osmani: RMV do të vazhdojë kontributin në misione të paqes

07.12.2021 16:55

Përforcimi i misioneve paqeruajtëse si dhe përdorimi i digjitalizimit dhe trajnimet shëndetësore të paqeruajtësve...

Përforcimi i misioneve paqeruajtëse si dhe përdorimi i digjitalizimit dhe trajnimet shëndetësore të paqeruajtësve për tejkalimin sa më të lehtë të sfidave të rënda të cilat i presin në këto misione është konkluzioni përfundimtar i mbledhjes ministrore të titulluar “Të bashkuar për paqe, së bashku për një ardhmëri më të mirë” të shefave të diplomacisë nga 155 shtete të botës në Seul. Me këtë rast, shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, tha se vendi do të vazhdojë kontributin në misionet paqësore. 
 
“RMV do të vazhdojë të kontribuojë në misionet paqeruajtëse edhe atë me gjininë femërore dhe do të vazhdojë të investojë në trajnime të përbashkëta me vendet e Ballkanit për ndërtimin e kapaciteteve speciale. Prevenimi i konflikteve patjetër që duhet të jetë parimi kryesor i ynë i përbashkët.”,- deklaroi ministri i MPJ-së, Bujar Osmani.
 
Guterres: Nevojitet partneritet në misionet paqeruajtëse
 
Vendet anëtare potencuan se duhet koordinim më i ngushtë dhe pjesëmarrje më masovike e gjinisë femërore në misionet paqeruajtëse.
 
“Ende po ballafaqohemi me fjalën “UNË” në misionet paqeruajtëse, na duhet partneriteti juaj për trajnime më të theksuara në misionet paqeruajtëse. Përfaqësimi gjinor është pjesa kritike dhe thelbësore për sukses. Gjinia femërore domosdoshmërisht duhet të ketë role udhëheqëse në misionet paqeruajtëse,. Tani po përballemi me kërcënime të reja dhe patjetër që të gjithë duhet të japim kontributin tonë.”,- theksoi sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.
 
Jung: Kemi lansuar trajnime të mençura
 
“Republika e Koresë i ka lansuar trajnimet e mençura me digjitalizim të misioneve dhe mënyra e vetme për ta ruajtur stabilitetin dhe sigurinë është pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse edhe të gjinisë femërore.”,- u shpreh ministri korean, Tong Jung.
 
Nga mbledhja ministrore dolën iniciativa për bashkëpunim më të ngushtë të vendeve anëtare, më shumë financim dhe pjesëmarrja e Organizatës Botërore në misionet paqeruajtëse.           
 
FITIM KRYEZIU