Maqedoni
Tetovë, përurohet Qendra e renovuar për Punësim
07.12.2021 17:11
Renovimi i tërësishëm i Qendrës për Punësim në Tetovë kap vlerën prej mbi 18 milion denarë...

Renovimi i tërësishëm i Qendrës për Punësim në Tetovë kap vlerën prej mbi 18 milion denarë, mjete këto të siguruara nga Unioni Europian. Fatmir Sabriu nga Agjencia për Punësim tha se Qendra për Punësim në Tetovë tanimë ka një pamje të re dhe prej sot është e gjitha në funksion dhe në shërbim të qytetarëve.
“Qendra e Punësimit në Tetovë tanimë ka fasadë të re, është ndryshuar konstruksioni i kulmit, të ndërtesës, janë ndryshuar dritaret, me çka është zmadhuar efikasiteti energjetik i këtij objekti. Janë siguruar edhe koftorë me pelet me qëllim që të zvogëlohen harxhimet, që pasi ky objekt deri më tani është ngrohur me energji elektrike. Renovimi i Qendrës së Punësim në Tetovë është financuar nga Unioni Europian. Ky projekt kap vlerën e 18 milion denarëve.”,- deklaroi Fatmri Sabriu nga Agjencia për Punësim.
“Qendra e Punësimit në Tetovë sot ka një pamje moderne dhe më e rëndësishmja është rritja e funksionalitetit të saj, nga e cila do të përfitojnë drejtpërsëdrejti të papunësuarit, punëdhënësit dhe sigurisht punonjësit e Qendrës për Punësime - Tëtovë. Dua të theksoj se është bërë edhe riorganizimi i punës në vetë Qendrën për Punësim dhe mënyra e re e funksionimit dhe besojmë që do përmirësojmë ndjeshëm kënaqësinë e shfrytëzuesve të shërbimeve në Agjencinë për Punësim.”,- tha udhëheqësi i Qendrës për Punësim Tetovë, Armend Salili.
Ata njëherit theksuan se deri më tani shumë të rinj dhe të reja kanë shfrytëzuar grandet që ka ofruar Agjencia për Punësim, ku një pjesë e tyre tani kanë hapur bizneset e tyre dhe funksionojnë pa problem.
Në rajonin e Tetovës të evidentuar si të papunë janë mbi 18.500 persona.
VISARI SADIKI
