Kurti dhe Borell, mospajtime rreth Asociacionit të komunave serbe

07.12.2021 18:01

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, me qëndrime të ndara rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Derisa kryeministri kosovar ka përsëritur qëndrimin se Asociacioni i komunave serbe i shkon për shtati vetëm Beogradit, por jo edhe qytetarëve serbë në Kosovë dhe se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar marrëveshjen jokushtetuese, Borrell insistoi se kjo ishte njëra prej marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë duhet të respektohet.

“Kur Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetuese këtë marrëveshje, asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar. Andaj duhet të kemi dialog nga i cili përfitojnë qytetarët e jo politikanët.”,- tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk pajtohem që Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) vendosi pengesa në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, kjo (marrëveshje) u arrit ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive dhe në kuadër të dialogut. Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.”,- u shpreh shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell.

Kurti njëherit ka theksuar se janë 33 marrëveshje që janë arritën në Bruksel, por Beogradi insiston në zbatimin e vetëm njërës, atë të Asociacionit.

Por, Borrell u kundërpërgjigj se është i vetëdijshëm që ka edhe marrëveshje të tjera të arritura, të cilat nuk po zbatohen, por marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe sipas tij është më e rëndësishmja.

Kryeministri Kurti po ashtu tha se Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar në dialogun me Serbinë, me qëllim dhe përkushtim që të arrihet marrëveshja finale ligjërisht e obligueshme dhe të normalizohen raportet mes Prishtinës e Beogradit. Lidhur me vazhdimin e dialogut, Borrell tha se megjithatë nuk ka gatishmëri të palëve që të angazhohen në dialog. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)