Botë

Gjermani, Scholz nesër pritet të zgjidhet kancelar i ri

07.12.2021 18:19

Dy muaj e gjysmë pas zgjedhjeve federale në Gjermani, SPD, të Gjelbrit dhe FDP nënshkruan marrëveshjen për koalicion...

Nesër pritet Zgjedhja e kandidatit të SPD Scholz për kancelar të ri të Gjermanisë.  Scholz pas arritjes së marrëveshjes së koalicionit ka thënë se "Ky duhet të jetë një mëngjes kur ne nisemi për një qeveri të re".

Lufta kundër krizës së koronës do të kërkojë fillimisht të gjithë energjinë e koalicionit të ri. Bashkëkryetari i të Gjelbërve dhe zëvendëskancelari i caktuar, Robert Habeck theksoi se fjala është që Gjermania të vihet në rrugë neutrale për klimën dhe për të pajtuar mirëqenien me neutralitetin klimatik.

Tema më e rëndësishme dokumentit 177 faqesh që paraqet programin qeveritarë të titulluar "Të guxojmë më shumë përparim" është pandemia përkatësisht politika shëndetësore. Pikërëndesa të tjera janë kriza klimatike dhe digjitalizimi.

Mbrojtja e klimës renditet si një detyrë transversale për të gjitha ministritë. Administrata dhe ekonomia duhet të bëhen më digjitale. Gjithashtu janë planifikuar përmirësime për personat me të ardhura të ulëta, qiramarrësit dhe familjet. Nesër Scholzi pritet të zgjidhet Kancelar Federal nga Bundestagu.

Me këtë merr fund pas 16 vitesh epoka e Angela Merkelit (CDU), e cila nuk kandidoi në zgjedhjet e 26 shtatorit, Kabineti i Scholzit gjithashtu do të bëjë betimin nesër.