Maqedoni

Kovaçki: Një muaj heshtje rreth skandalit me 1 ton drogë

08.12.2021 13:50

VMRO-DPMNE akuzon qeverinë se po përpiqet të fshehë skandalin e përpjekjes për kalimin e një toni drogë...

VMRO-DPMNE akuzon qeverinë se po përpiqet të fshehë skandalin e përpjekjes për kalimin e një toni drogë përmes aeroportit të Shkupit. Akuzojnë se me kërcënime është detyruar edhe doganieri të ndryshojë deklaratën e dhënë më herët. Nga VMRO thonë  se qeveria kërkon t'ua hedhë fajin zyrtarëve të ulët, njësoj si në skandalin "Mafia", kur 215 pasaporta u dhanë në mënyrë sistematike për bosët e drogës dhe mafiozët. Thonë se përpjekja për të mbuluar edhe këtë krim është konfirmim  për  lidhjet  mafioze mes nëntokës, qeverisë dhe prokurorisë.
 
“A është e vërtetë që pas zbulimit të dërgesës më 5 nëntor, në Drejtorinë e Doganave është dhënë alarmi i kuq, jo për të zbardhur rastin, por që të mbulohet ky skandal? A është e vërtetë që të nesërmen zyrtarë të lartë partiakë të pushtetit kanë mbajtur një mbledhje në Doganë, pas së cilës, më 8 nëntor, ka pasur ndryshim në deklaratën e doganierit të përfshirë në skandal? A është e vërtetë që doganieri i përfshirë në këtë skandal, ka dhënë fillimisht një deklaratë se kishte marrë urdhër verbal nga një mbikëqyrës që ta lëshojë ngarkesën të kalojë pa e kontrolluar dhe pas disa ditësh, po i njëjti dha një deklaratë të ndryshuar që hidhte poshtë deklaratën e mëparshme? A është e vërtetë se qeveria LSDM-BDI, përmes zyrtarëve të saj në Doganë, i kanë bërë presion doganierit që të ndryshojë deklaratën e tij? Një operacion i tillë për import dhe transport të 1 ton drogë, përmes aeroportit të Shkupit, nuk është i mundur pa dijeninë e strukturave menaxhuese të MPB-së dhe Doganës.”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki.