Botë
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, 31 vjet protestat studentore në Shqipëri
08.12.2021 14:10
Shqipëria shënon sot Ditën Kombëtare të Rinisë, 31 vite nga 8 Dhjetori i 1990...

Shqipëria shënon sot Ditën Kombëtare të Rinisë, 31 vite nga 8 Dhjetori i 1990, datë e cila shënon tronditjen e regjimit komunist.
Më 8 dhjetor, 300 studentë dhe pedagogë të universiteteve të Tiranës nisën atë e cila njihet Lëvizja Studentore e viteve 90’. Ata u bënë iniciatorë të protestave paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë në Shqipëri.
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, me këtë thirrje u synua ngritja e vlerave perëndimore dhe integrimi me vendet e tjera, pa harruar edhe garantimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Akti i tyre publik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.
Presidenti Ilir Meta duke përkujtuar 31-vjetorin e lëvizjes studentore, tha se tashmë është koha për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa dhe për ta rikthyer vendin në shinat e demokracisë dhe pluralizmit. Ai u bëri thirrje studentëve që të marrin në dorë udhëheqjen e proceseve demokratike në vend.
PD, partia e parë opozitare në Shqipëri që lindi pikërisht nga këto protesta, e festoi këtë ditë e ndarë, në pritje të dy kongreseve të partisë ditët në vazhdim.
