Ekonomi
Vendimi për ngrirjen e çmimeve, Aliu: I domosdoshëm, madje pak i vonuar
08.12.2021 14:55
Ngrirja e çmimeve alarmoi kompanitë, por “rehatoi” qytetarët.....

Ngrirja e çmimeve alarmoi kompanitë, por “rehatoi” qytetarët. Por, si e vlerësojnë ekspertët një masë të tillë. Profesori universitar, Hamit Aliu, vlerëson se edhe pse në kushte normale, në ekonomi nuk preferohet një vendim i tillë, në kushte krize është e nevojshme të ketë kontroll të çmimeve. Madje profesori Aliu vlerëson se qeveria është vonuar me këtë masë, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut është shtet social dhe në konsideratë të parë duhet të ketë qytetarët e shtresës më të ulët.
“Në kushtetutën e Maqedonisë, neni 1 shkruan se Maqedonia është shtet social. Këtë nen e ka harruar Qeveria. Nuk ka analizë të thuktë se si do të ndikojë te biznesi, por unë jam më se i bindur se biznesi është më tepër i aftë dhe më tepër di punën e vet dhe sipas mendimit tim në kriza të tilla siç jemi tash dhe që akoma më tepër do të rëndohet dhe biznesi do të jetë i kuptueshëm dhe do të ndihmojë që në çështjen e diferencës në çmim, ndërmjet çmimit kushtues dhe çmimit shitës duhet të ketë një masë të caktuar vetëm e vetëm që edhe ashtu jetën e ithët mos t’ia rëndojmë akoma më tepër kësaj popullate.”,- deklaroi profesori universitar, Hamit Aliu.
Por, nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë së Veriut janë shprehur tashmë se masa për ngrirjen e çmimeve ka mundësi të thellojë krizën, duke pasur parasysh rritjen e çmimit të energjisë. Ngrirja e çmimeve mund të jetë fatale për kompanitë private, bazuar në faktin se çmimi i eksportit të repromaterialeve është në rritje. Kjo, sipas LOE-së, mund të ndikojë edhe në falimentimin e kompanive apo uljen e numrit të të punësuarve.
ERSAN PAJAZITI
