Maqedoni

Më të korruptuarit sipas qytetarëve: Gjykatësit, prokurorët, ministrat e kryetarët e komunave

08.12.2021 15:22

Korrupsioni është problemi më i madh për qytetarët, ndryshe nga vitet e kaluara...

Korrupsioni është problemi më i madh për qytetarët, ndryshe nga vitet e kaluara, kur në  tre vendet e para ishin çështjet ekzistenciale, si papunësia, varfëria ose paqëndrueshmëria politike. Këtë e ka treguar anketa e fundit për vlerësimin e korrupsionit, e kryer nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar. 
 
80% e qytetarëve të RMV-së besojnë se dëshira e pushtetarëve për pasurim të shpejtë personal ndikon në përhapjen e korrupsionit. 
 
“Qytetarët i njohin gjyqtarët, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave dhe prokurorët si më të korruptuarit. Sipas tyre, pothuajse të gjithë ose shumica janë të përfshirë në korrupsion dhe shifrat variojnë nga 73% për prokurorët deri në 80% për gjyqtarët.”,- thuhet në hulumtimin e QMBN-së.
 
Anketa e QMBN-së: Korrupsioni mbetet i pandëshkuar
 
Sipas rezultateve nga anketa, korrupsioni mbetet i pandëshkuar, edhe pse rreth një e treta e qytetarëve, apo 33.7%, ishin të ekspozuar ndaj presionit korruptiv dhe 32.9% ishin të përfshirë në korrupsion.
 
“Kjo përqindje, e përkthyer në shifra absolute, duke supozuar se këto janë raste individuale, tregon se janë potencialisht mbi 550,000 vepra të kryera. Megjithatë, në vitin 2020 janë dënuar gjithsej 82 persona për shpërdorim detyre apo ryshfet, pra shkalla e efikasitetit të institucioneve është 0.015 për qind. Kjo është përqindja e rasteve që procedohen në krahasim me ato që supozojmë se po ndodhin.”,- thuhet në raportin e QMBN-së.
 
Besimi te institucionet, anketa e QMBI: Më pak besim te Komisioni Anti-korrupsion
 
Sa i përket ndjeshmërisë ndaj ryshfetit, sipas anketës, 4% e qytetarëve thanë se do të paguanin dhe 17% do të paguanin nëse do kishin mundësi. 45% nuk do të paguanin fare, ndërsa 31% nuk do të paguanin nëse do të kishte një mënyrë tjetër për të zgjidhur problemin.
 
Gati tre e katërtat besojnë se ka gjasa ose probabilitet të lartë për presion korruptiv në të ardhmen. Për sa i përket besimit te institucionet në luftën kundër korrupsionit, pothuajse 33% e qytetarëve kanë besim të plotë ose të pjesshëm në luftimin e korrupsionit në Qeveri, 30% në Ministrinë e Brendshme, ndërsa  Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është në vendin e tretë me rreth 24%.
 
Anketa për Qendrën Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar është realizuar nga IPSOS dhe të dhënat janë mbledhur përmes një ankete ballë për ballë në periudhën 27 prill, 20 maj 2021, me 1014 persona mbi 18 vjeç.
 
SANIJE DURAKU