Maqedoni
“Kodra e diellit”, sezoni dimëror në prag, prezantohen investimet
08.12.2021 15:45
Dy kilometra skijim nate, rregullimi i pistave ekzistuese të skijimit, ndriçim...

Dy kilometra skijim nate, rregullimi i pistave ekzistuese të skijimit, ndriçim, tualete publike dhe renovim të dy bareve dhe restoranteve janë disa nga investimet e fundit që ka bërë ELEM Turs në “Kodrën e Diellit”. Ministrat Bekteshi e Nuredini panë nga afër punimet në prag të hapjes më 15 dhjetor të sezonit të skijimit.
“Tani më janë në gadishmëri për skijim nate në shtegun e Aerodromit. Bashkë me këtë shteg tani më kemi fituat mbi dy kilometra shteg për skijim nate. Ne kemi investuar edhe në dy mini bar restorante, në GE dhe TETEKS poshtë. Për këtë vit për herë të parë në Kodrën e Diellit kemi tualete publike. Dua të paralajmëroj edhe hapjen e sezonit turistik i cili do të fillojë nga 15 dhjetori javën e ardhshme. Dua t’ju njoftoj se 15-16 do të jenë ditë të lira për të gjithë skijatorët.”,- deklaroi drejtori i ELEM-it, Adem Avziu.
Investimi privat në “Kodrën e Diellit”, Bekteshi: Ka oferta, por ende po i analizojmë
Edhe pse shumë herë nga Qeveria është kërkuar investitor privat për “Kodrën e Diellit”, deri më tani nuk ka ndonjë finalizim. Ministri Bekteshi tha se ka oferta, por të njëjtat janë duke u analizuar.
“Ka investitor potencial, të cilën më kryeministri Zaev i ka theksuar, shqyrtohen biznes-planet e tyre, ofertat e tyre, por që kryesorja i një Qeverie që është serioze, i një kompanie që është ELEM Tursi, e cila është serioze. Me siguri që para se të merret vendimi përfundimtar sa i përket “Kodrës së Diellit”, a do të jetë me partneritet publik-privat, apo do të shkojë me privatizim të tërësishëm, është që të rrisim vlerën e “Kodrës së Diellit”, për shkak se e njëjta është pronë e të gjithë qytetarëve.”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Nuredini: Zhvillim i qëndrueshëm për malin Sharr
Kodra e Diellit është ne zonën e mbrojtur pas shpalljes së Malit Sharr -Park Kombëtar, por kjo nuk pengon investimet e kujdesshme, thotë ministri Nuredini.
“Kjo është një shembull se si ne mund të krijojmë aktivitet ekonomik, brenda zonës së mbrojtur te japim mundësi qytetarëve tanë të vijnë dhe të bëjnë aktivitete të ndryshme. Kjo është e rëndësishme për ne pasi do të zhvillojmë Parkun Kombëtar - Malin Sharr, në mënyrë të qëndrueshme dhe me aktivitete dimërore dhe verore.”,- theksoi ministri i mjedisit jetësor, Naser Nuredini.
Edhe pse investime po bëhen, Kodra e Diellit ende ballafaqohet me mungesë parkingu, kanalizime dhe infrastrukturë të shkatërruar kryesisht nëpër shtëpizat e vikendit.
VISAR SADIKI
