Maqedoni
Pritjet nga shumica e re parlamentare, Arsovski: Do varen nga rezultati me Bullgarinë
08.12.2021 16:01
Sfida kryesore e mazhorancës së re parlamentare do të jetë rezultati i negociatave me Bullgarinë....

Sfida kryesore e mazhorancës së re parlamentare do të jetë rezultati i negociatave me Bullgarinë. Kështu vlerëson analisti politik, Petar Arsovski, sipas të cilit, nëse tejkalohet vetoja bullgare, mund të pritet stabilizim i mazhorancës dhe angazhime për realizimin e përcaktimeve programore, në të kundërtën kjo shumicë do të përballet me presionin për zgjedhe të parakohshme parlamentare.
“Në një kohë relativisht të shkurtër, Maqedonia duhet të ketë një lëvizje drejt së ardhmes evropiane, sepse ky ishte narrativi kryesor për formimin e shumicës së re parlamentare, nëse kjo ndodh atëherë do të ndikojë në stabilizimin e mazhorancës së re dhe prej tyre mund të priten lëvizje shtesë apo angazhime programore, por nëse kjo nuk ndodh, shumica e re parlamentare do të jetë nën presion, sepse narrativi kryesore për t'u formuar kjo shumicë do të shembet dhe në lojë do të jenë sërish zgjedhjet e parakohshme parlamentare.”,- tha analisti politik, Petar Arsovski.
Bilalli: Sfidë, kriza shëndetësore dhe ekonomike
Veç marrëveshjes me Bullgarinë dhe integrimit evropian, profesori universitar, Mersel Bilalli, apostrofon edhe një sfidë tjetër me të cilën do të përballet mazhoranca e re parlamentare. Kjo, sipas tij, ka të bëjë me situatën e përgjithshme lidhur me krizën shëndetësore, ekonomike, të cilën ai e sheh si problem serioz që kërkon kondicion dhe vullnet politik për ta tejkaluar.
“Nuk do të jetë e lehtë edhe pse faktori ndërkombëtar për hir gjeopolitike dhe gjeostrategjike fuqishëm qëndron që kjo qeveri që do të krijohet të ketë një jetë pak më të gjatë dhe supozoj që ajo të jetë si e tillë por me çfarë do të ndeshet me siguri do të jetë një problem shumë serioz dhe shpresoj që kryeministri i ardhshëm do të duhet të ndërtojë një ekip të fuqishme të konsulentëve të brendshëm dhe ndërkombëtarë sidomos në sferën ekonomike që të mundemi së paku ta përballojmë këtë fazë e cila është kritike dhe të mund të dalim brenda një kohe të caktuar në ujëra më të qeta dhe me siguri do të duhet shumë kondicion dhe vullnet politik në këtë drejtim.”,- tha profesori universitar, Mersel Bilalli.
Pas negociatave që zgjatën disa javë midis kryeministrit, Zoran Zaev, dhe “Alternativës” së Afrim Gashit, u arrit marrëveshje që 4 deputetët e kësaj të fundit t’i bashkëngjiten mazhorancës së re parlamentare.
NAIM RAMADANI
