Rritet pasiguria për fillimin e negociatave, Buçkovski: Dështimi tani do sillte pasiguri të reja
Rritet pasiguria nëse Shkupi dhe Sofja do të gjejnë një zgjidhje....

Rritet pasiguria nëse Shkupi dhe Sofja do të gjejnë një zgjidhje para Samitit të Këshillit të BE-së, pasi pritjet e Shkupit nuk përputhen me të gjitha mesazhet që vijnë nga Sofja.
Përfaqësuesi special i Qeverisë së Maqedonisë për Bullgarinë, Vllado Buçkovski, tha për DW se tani që Bullgaria ka një qeveri politike, dritarja e mundësive është e hapur. Lëshimi i shansit në Samitin e dhjetorit do të ndryshonin plotësisht pritshmëritë aktuale, thotë Buçkovski.
“Nëse nuk pajtohemi tani, derisa Zaev është kryeministër, do të hyjmë në një pasiguri të re. Do të humbasim shumë kohë përsëri dhe nuk kemi më kohë për të pritur! Ne kemi pritur shumë gjatë që Bullgaria të ketë një qeveri politike. Kryeministri Zaev mbetet në pozicionin për të mbyllur këtë proces negociues me kryeministrin e ri bullgar. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për përcaktimin e kornizës kohore për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi dhe heqjen e bllokadës nga Bullgaria. Të mos harrojmë se presidenca e ardhshme e BE-së, Franca, ka zgjedhje presidenciale në prill. Prandaj, nuk kemi shumë kohë para se të fillojë fushata e tyre.”,- thotë Buçkovski.
Gjorçev: Maqedonia s’do të fillojë bisedime me BE-në
Mirëpo opozita maqedonase konsideron se përkundër pritshmërive fillim bisedimesh nuk do të ketë. Vlatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE thotë e për këtë fajtor është sa pushteti aktual po aq edhe disponimi brenda unionit sa i përket zgjerimit.
“Kam frikë se me numrin e madh të gabimeve që bëri pushteti por edhe me klimën e përgjithshme sa i përket zgjerimit s’jam i sigurt se më 14 dhjetor do të kemi sukses, përkundrazi mendoj se për fat të keq Maqedonia s’do të fillojë bisedime me BE-në edhe pse për këtë të gjithë bëjmë lobim bashkarisht dhe e përcjellim si mesazh të përbashkët.”,- tha Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.
Dimitrov kërkon vëmendjen e Berlinit
Në vazhdën e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë shtysë procesit, zëvendëskryetari i Qeverisë i obliguar për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov, prej të enjten do të qëndrojë për vizitë dyditëshe në Republikën Federale të Gjermanisë, ku do të takojë ministren e re gjermane për Evropë – Ana Lirman.
“Dimitrov do ta shfrytëzojë vizitën që prej ditëve të para nga mandati i Qeverisë së kancelarit Sholc, ta drejtojë vëmendjen kah dosja evropiane e Maqedonisë së Veriut dhe angazhimi i Gjermanisë në rajon.”, – informon Sekretariati për Çështje Evropiane. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
