Botë
Sanksionet e ShBA-ve për grupin kriminel, Kurti: Lufta kundër krimit nuk njeh etni
09.12.2021 10:50
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpret vendimin e Shteteve të Bashkuara për sanksionimin e Zvonko Vesellinoviqit...

Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, biznesmeni Zvonko Vesellinoviq, dhe 11 serbë nga Kosova, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së më 8 dhjetor. Ky vendim për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në veri të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale.
“Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë”, shkruan Kurti.
Sipas tij, krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare dhe Qeveria e Kosovë e ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Borrell: Hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit
Edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, i mbështeti sanksionet ndaj disa serbeve të Kosovës, të cilët, sipas Shteteve të Bashkuara, janë pjesë e një grupi të krimit të organizuar. Ai tha se marrja e këtyre masave është hap i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor.
“Shkatërrimi i rrjeteve kriminale transnacionale kontribuon në sigurinë, stabilitetin dhe përmirëson sundimin e ligjit në mbarë rajonin. BE-ja është plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij synimi të përbashkët”, ka thënë Borrell.
Vuçiq: Po hetohet nëse ka akuza serioze ndaj tyre
Presidenti serb, Vuçiq, ka thënë se organet përkatëse serbe do të hetojnë gjithçka, në rast se ekzistojnë “akuza serioze kundër tyre”. Vuçiq mohoi që Partia Përparimtare Serbe, në krye të së cilës është, ka marrë para nga Zvonko Vesellinoviq.
