Botë

UNICEF: Covid-19, kriza më e madhe globale për fëmijët

09.12.2021 13:21

COVID-19 ka prekur fëmijët në një shkallë të paprecedentë, duke e bërë atë krizën më të rëndë globale për fëmijët , që UNICEF ka parë në historinë e vet 75-vjeçare....

COVID-19 ka prekur fëmijët në një shkallë të paprecedentë, duke e bërë atë krizën më të rëndë globale për fëmijët , që UNICEF ka parë në historinë e vet 75-vjeçare. 
 
Analiza e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, alarmon se pandemia po përmbys pothuajse çdo masë progresi për fëmijët. Numri i fëmijëve që janë të uritur, jashtë shkollës, të dhunuar, që jetojnë në varfëri ose të detyruar të martohen po rritet, teksa numri i fëmijëve me akses në kujdesin shëndetësor, vaksinat, ushqimin e mjaftueshëm dhe shërbimet thelbësore, po zvogëlohet.
 
Më shumë se 100 milionë fëmijë janë të zhytur në varfëri shumëdimensionale për shkak të pandemisë, një rritje prej 10 % që nga viti 2019, apo rreth 1.8 fëmijë çdo sekondë që nga mesi i marsit 2020. Rreth 60 milionë fëmijë janë tani në familje të varfra, në krahasim me para pandemisë. Për më tepër, në vitin 2020, mbi 23 milionë fëmijë humbën vaksinat thelbësore – një rritje prej afro 4 milionë nga viti 2019 dhe numri më i lartë në 11 vjet.
 
Raporti parashikon se  do të duhen shtatë deri në tetë vjet për t’u rikuperuar dhe për t’u rikthyer në nivelet e varfërisë së fëmijëve para-COVID. Sipas UNICEF-it, pothuajse dy vjet pas pandemisë, ndikimi i përhapur i COVID-19 vazhdon të thellohet, duke rritur varfërinë, duke rrënjosur pabarazinë dhe duke kërcënuar të drejtat e fëmijëve në nivele të padukshme më parë.