Botë

KMG: Numër rekord i gazetarëve të burgosur më 2021

09.12.2021 14:54

Numri i gazetarëve të burgosur në mbarë botën shënoi rekord të ri në vitin 2021, tha Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve....

Numri i gazetarëve të burgosur në mbarë botën shënoi rekord të ri në vitin 2021, tha Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.
 
Në raportin e publikuar të enjten bëhet e ditur se 293 gazetarë janë burgosur gjatë këtij viti, për shkak të punës së tyre.
 
Në vitin 2020, gazetarë të burgosur kanë qenë 280. Është ky viti i gjashtë radhazi që Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve regjistron së paku 250 gazetarë të burgosur.
 
Për më tepër, sipas organizatës, 19 gazetarë janë vrarë në shenjë hakmarrjeje për punën e tyre deri më 1 dhjetor të këtij viti. Gjatë gjithë vitit 2020, numri i gazetarëve të vrarë ka qenë 22.
 
Tetëmbëdhjetë të tjerë kanë vdekur në rrethana shumë të errëta dhe është e vështirë të përcaktohet nëse janë vrarë, tregon raporti.