Maqedoni

Hoxha: Ngrirja e çmimeve vë në rrezik shumë biznese

09.12.2021 15:28

Vendimi i qeverisë për të ngrirë çmimet e disa produkteve bazë pengon zhvillimin dhe funksionimin e biznesit në vend...

Vendimi i qeverisë për të ngrirë çmimet e disa produkteve bazë pengon zhvillimin dhe funksionimin e biznesit në vend, vlerëson kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha. Thotë se e mirëkupton gjendjen e vështirë ekonomike me të cilën përballen qytetarët në këtë kohë, por Oda Ekonomike  e Maqedonisë Veriperëndimore mbetet në qëndrimin se kufizimi i çmimeve e vë në shprehje ekzistimin e shumë bizneseve të cilat mund të detyrohen të punojnë me humbje.
 
“Për bizneset kjo është një çështje që e pengon zhvillim dhe funksionimin e bizneseve në aspektin e qarkullimit dhe fitimit të tyre dhe ekzistencës së tyre dhe ne si odë jemi me qëndrim që çmimet të jenë fleksibile, sepse edhe ne kemi një mirëkuptim ndaj qytetarëve duke pasur parasysh se çështja ekonomike e vendit dhe zhvillimi janë të rëndësishëm, mirëpo për ne është me rëndësi që këto çmime të jenë në një masë të duhur për shkak se nga ana tjetër jemi të ballafaquar me kostot e produkteve tona dhe që do të thotë se në një formë jemi të detyruara të lëvizim çmimet.”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
 
Grubi për ngrirjen e çmimeve: Do të rrisim listën e produkteve
 
E ndërkohë, zëvendëskryeministri, Artan Grubi, thotë se për shkak të situatës të cilët gjendet vendi, ngrirja e çmimeve do të vazhdojë edhe për disa produkte, ndërsa siguroi që rritja e çmimit të energjisë nuk do të tejkalojë 10 përqindëshin.
 
“Presim që të në seancën e së martës të shtohen edhe disa produkte tjera, ndërsa sa i përket çmimit të energjisë elektrike, edhe ministri i ekonomisë edhe qeveria ka deklaruar se rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk do të jetë aq i madh, një barrë e padurueshme për qytetarët, por do të jetë një përqindje përafërsisht 10 për qind.”,- theksoi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
 
Nga OEMVP thonë se si për rritjen e energjisë elektrike ashtu edhe për vendimin për ngrirje të çmimeve nuk është konsultuar komuniteti i biznesit në vend.
 
ZEKIRJA MEXHITI