Ekonomi

OEMVP shpalli 100 kompanitë më të suksesshme

09.12.2021 15:42

Me rreth 926 milion euro qarkullim vjetor, mbi 72 milion euro neto fitim dhe me 9.199 të punësuar...

Me rreth 926 milion euro qarkullim vjetor, mbi 72 milion euro neto fitim dhe me 9.199 të punësuar, e kanë kaluar vitin 100 kompanitë më të suksesshme të OEMVP-së. Kryetari i kësaj Ode, Nebi Hoxha, tha se edhe krahas pandemisë, kompanitë anëtare të këtij grupacioni arritën të kenë rezultate të mira. 
 
“Ishim skeptik se viti 2020 është një vit i recesionit ekonomik, sot me eventin top 100, i cili është më veç një brend i mbrojtur, dëshmuam se kompanitë anëtare të OEMVP-së edhe përskaj recesionit ekonomik u paraqitën me një rezultat pozitiv në tri kategoritë kryesore, si në qarkullim, në rritje të numrit të punësuarve dhe në neto fitim.”,- deklaroi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
 
Zëvendëskryeministri Bytyçi tha se qeveria do të mbështesë sektorin privat përmes masave të ndryshme. Ai tha se e ardhmja e ekonomisë vendore është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal. 
 
“Rifokusimi me stimulimin e investimeve në tregun e Ballkanit Perëndimor do të krijojë një treg rajonal elastik dhe të qëndrueshëm, i cili do të jetë konkurrues në tregun evropian apo botëror. Në të njëjtën kohë do të mbështesë dhe sigurisht do të rrisë dhe do të forcojë ekonomitë kombëtare.”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.
 
Pesë kompanitë më të suksesshme për këtë vit u shpallën “Kipper Market”, “Ats Grup”, “Pucko Petrol”, “Dauti Komerc” dhe “Pofix”. Kompania me rritje më të shpejtë në 3 vitet e fundit u shpall “Dekor Tekstil”, ndërsa kompania më e suksesshme e udhëhequr nga një grua u shpall kompania “Dogan Air Conditioning Solutions”. 
 
ERSAN PAJAZITI