Maqedoni

Kuvend, konstatohet dorëheqja e ministrit të bujqësisë

09.12.2021 15:55

Lëvizja “Besa” përfundimisht nuk është pjesë e kabinetit qeverisës të drejtuar nga kryeministri, Zoran Zaev...

Lëvizja “Besa” përfundimisht nuk është pjesë e kabinetit qeverisës të drejtuar nga kryeministri, Zoran Zaev. Kuvendi në seancë plenare me shumicë të votave konfirmoi dorëheqjet e ministrit të Bujqësisë, Arianit Hoxha, zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, Arafat Shabani, dhe zëvendësministrit të kulturës, Sedat Sulejmani. 
 
“Konstatoj se në pajtim me nenin 220 të rregullores së kuvendit të RMV-së, z. Arijanit Hoxhës i pushon funksioni ministër i cili udhëheq me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Kuvend, në rend dite buxheti për vitin 2022
 
Në kuadër të seancës së 54 të Kuvendit, është edhe propozimi plotësues i Buxhetit për vitin 2022 në lexim të dytë. Pas debatit të amendamenteve në komisionet e Kuvendit, Qeveria nga numri i tërësishëm i amendamenteve pranoi 23 prej tyre në vlerë të përgjithshme prej rreth 382 milion denarë.
 
Plotësisht, në propozim të Ministrisë së Financave, Qeveria miratoi edhe ndryshime si plotësim të Buxhetit dhe atë për rritje të mjeteve në Ministrinë e Shoqërisë, Informatike dhe Administratës në vlerë prej 250 milion denarë për realizimin e aktiviteteve programore të Radiotelevizionit të Maqedonisë, pastaj për rritje të mjeteve në Gjykatën Kushtetuese në vlerë prej një milion denarë për zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj kushtetues dhe rritje të mjeteve për Policinë financiare në vlerë prej një milion denarë për obligime të ndërmarra për furnizim të automjeteve. Debati për propozim-buxhetin plotësues në seancë plenare zgjat pesë ditë.
 
NAIM RAMADANI