Maqedoni
Samiti i BE-së - fillimi i negociatave, Grubi: Shumë afër tejkalimit të bllokadës bullgare
09.12.2021 16:07
Optimizëm për negociata me BE-në dhe për marrjen e një sinjali pozitiv në Samitin e dhjetorit të BE-së...

Optimizëm për negociata me BE-në dhe për marrjen e një sinjali pozitiv në Samitin e dhjetorit të BE-së për RMV-në dhe Shqipërinë në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, thotë se janë të sakta zërat se ka iniciativë franceze për zgjidhjen e kontestit mes RMV-së dhe Bullgarisë. Ai njoftoi se i kanë dorëzuar përgjigjet për të gjitha çështjet që tangojnë Bullgarinë dhe tani qeveria e vendit është në pritje të një qasjeje konstruktive nga pala bullgare për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura.
“Ne kemi dorëzuar tashmë përgjigjet ndaj të gjitha çështjeve që i ka ngritur Bullgaria në formën më konstruktive të mundshme dhe presim që autoritetet e reja, presidenti Radev t’i qaset dialogut mbi këtyre çështjeve në mënyrë konstruktive dhe të arrijmë një ujdi e cila do na hap rrugën drejt BE-së. Po ka të vërtetë se ka iniciativë edhe franceze për t’u ulur në tavolinë dhe për t’i tejkaluar të gjitha dallimet në mënyrë që në muajt e ardhshëm të viti 2022, pra në fillim në pranverë të mbahet edhe konferenca e parë ndërqeveritare.”,- tha zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
Grubi: Kryeministri i parë shqiptar, çështje e mbyllur
Grubi është i prerë edhe sa i përket marrëveshjes për kryeministrin e parë shqiptar në 100 ditët e fundit të qeverisjes, pavarësisht mandatarit të ri që do të përzgjidhet këtë fundjavë.
“Pse e vëni në dyshim? Nuk varet është marrëveshje me të cilën jemi dakorduar dhe kjo është çështje e mbyllur, nuk ka asnjë dyshim rreth asaj çështje. 100 ditët e fundit kryeministër shqiptar i propozuar nga BDI, siç qëndron në marrëveshjen e nënshkruar, do të konfirmohet edhe me mandatarin e ri.”,- u shpreh zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
Pas marrëveshjes që 4 deputetët e Alternativës t’i bashkëngjiten shumicës parlamentare, Qeveria ka hyrë në një fazë të re. Tani vendi pret që pasardhësi i kryeministrit në largim, Zoran Zaev, nga mesi i janarit të vitit të ardhshëm të formojë përbërjen e kabinetit të ri qeverisës.
SANIJE DURAKU
