Maqedoni
Takimi Dimitrov-Shulc në Gjermani: Shtyrja e bisedimeve, rrezik për stabilitetin rajonal
09.12.2021 16:21
Vetëm disa ditë para mbajtjes së Samitit të BE-së, funksionarët shtetërorë intensifikojnë takimet me zyrtarët evropianë...

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, turnin diplomatik e ka filluar nga Gjermania. Në takim me ish kryetarin e PE-së, Martin Shulc, Dimitorv ka shprehur pritjen e qytetarëve nga premtimi i BE-së. Kësaj radhe BE duhet ta dëshmojë fuqinë dhe kredibilitetin e saj, ka thënë Dimitrov.
“Kemi investuar kapital serioz politik mbi premtimet evropiane. Tash është koha vëmendjen dhe energjinë ta pozicionojmë në procesin e evropianizimit dhe përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve. Nëse BE përfundimisht e përkrah storjen maqedonase dhe investimin e madh në këtë çështje që reflektohet në tërë rajonin, atëherë Unioni duhet të dëshmojë se është fuqi që tërheq për të mirë.”,- tha Dimitrov.
Diplomati Shulc ka theksuar se çdo prolongim i radhës i fillimit të bisedimeve mes BE-së dhe RMV-së, paraqet rrezik për stabilitetin e rajonit dhe vizionin evropian.
Në këtë temë Dimitrov ka biseduar edhe me zyrtarë të tjerë gjermanë, përfshirë edhe ministrin gjerman për Evropë, Mihael Rot.
Ndërkohë, Komisioni i përzier maqedono-bullgar, përmes platformës online ka vazhduar punimet e radhës më 10 dhe 11 dhjetor. Ditë më parë bashkë-udhëheqësi i Komisioni, Angel Dimitrov, theksoi se palët kanë ngecur në historinë e shekullit X dhe XI, fundin e Mbretërisë bullgare, kohën e Car Samuelit dhe për pasardhësit e tij.
Ndërkohë, qeveria teknike bullgare ka kumtuar se nuk do të lëvizin nga pozicioni sa i përket vijave të kuqe me kontestin maqedonas dhe se do t’i përmbahen deklaratës së kuvendit të tetorit, 2019. Mbetet të shihet edhe më pak se një javë se cili do të jetë epilogu i Samitit të BE-së për RMV-në dhe Shqipërinë në mbledhjen e fundit të unionit për këtë vit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
