Maqedoni
Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, KShPK: Nuk po shohim rezultatet e pritura
09.12.2021 16:37
“Zgjidhni drejtimin e duhur, zgjidhni integritet”, ishte motoja kryesore e Komisionit për Anti-korrupsion në shënimin e Ditës Ndërkombëtare...

“Zgjidhni drejtimin e duhur, zgjidhni integritet”, ishte motoja kryesore e Komisionit për Anti-korrupsion në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit. Kryetarja e Anti-korrupsionit, Biljana Ivanovska, pranon se në vend rreziku për t’u korruptuar është akoma i lartë, e lufta kundër tij nuk po jep rezultate.
“Përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin nuk e dhanë rezultatin e pritur, për shkak të faktit se akoma në shoqëri është i lartë rreziku për korrupsion dhe llojet janë: ndikimi i fuqishëm politik, mosdënimi, jotransparenca dhe keqpërdorimi i autorizimeve diskrecionale. Për shkak të ekzistimit të këtyre rreziqeve nuk merren parasysh as rekomandimet që po ua drejtojmë ne institucioneve dhe për këtë arsye jemi dëshmitarë të pazareve politike për poste udhëheqëse, vende të cilat duhet të plotësohen përmes thirrjeve publike dhe konkurrimit të drejtë dhe sistemit të meritave.”,- deklaroi kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska.
Korrupsioni luftohet në mënyrë kolektive dhe është detyrë e të gjithëve të japin kontribut.
“Të ketë nivel të lartë të transparencës në politikë, administratë, ekonomi dhe po ashtu edhe shoqërie civile duhet të inkuadrohet në luftën kundër korrupsionit.”,- tha kryetari i GREKO-s, Marin Mërçella.
“Bëhet fjalë për parime dhe standarde të larta morale. Integriteti individual do të thotë t’i rezistosh korrupsionit, ndërsa integriteti institucional është që të respektosh ligjet, te prevenosh dhe luftosh korrupsionin në praktikë.”,- theksoi Xhulian Vasalo nga delegacioni i BE-së.
“Kuvendi do të vazhdojë të punojë në mënyrë konstruktive dhe transparente duke kultivuar dialogun partiak, sepse luftën kundër korrupsionit mund ta çojmë bashkërisht.”,- tha nënkryetari i Kuvendit të RMV-së, Goran Misovski.
“Elementet të cilat çdo institucion duhet t’i ndërmarrë në këtë drejtim janë kodeksi i etikës, standardet operative, vlerësimet për rreziqet si dhe trajnimet, kontrollet e brendshme dhe kanalet e brendshme për mbrojtje të informatorëve brenda institucioneve.”,- deklaroi Vladimir Gjorgjiev nga KSHPK.
“Unë besoj se me implementimin e sistemit për integritet do të kontribuojë të kemi administratë më efikase dhe efektive me çka do të rritet edhe besimi i qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore.”,- u shpreh ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Jeton Shaqiri.
Në botë që nga viti 2004 shënohet Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër Korrupsionit, ndërsa gjatë shpalljes së kësaj dite Kombet e Bashkuara thane se “lufta kundër korrupsionit mund ta lirojë botën nga varfëria dhe mungesa e zhvillimit”.
REXHEP QAMILI
