Maqedoni
Omikron nuk është regjistruar në RMV, në Evropë i pranishëm në 18 vende
09.12.2021 16:53
Deri tani në vend nuk është regjistruar asnjë i prekur me llojin e ri të virusit Korona - Omikron...

Në Maqedoninë e Veriut, ashtu si edhe në vendet e rajonit, vazhdon të mbetet dominant lloji Delta. Sipas OBSH-së, Omikron në nivel botëror është përhapur te 57 shtete, përfshi 18 shtete evropiane. Në Evropë deri tani janë regjistruar 212 raste me Omikron, por numri i infektimeve në Evropë javën e fundit ka shënuar rënie për 2%, derisa vdekshmëria është ulur për 3%.
Nga ana tjetër kompania Fajzer ka njoftuar se doza përforcuese e vaksinës anti Kovid mund të mbrojë nga Omikron. Fajzer –Biontek ka njoftuar se testet laboratorike kanë dëshmuar se doza e tretë rezulton se i rrit anti trupat neutralizuese kundër Omikron për 25 herë.
“Edhe pse dy doza të vaksinës mund të sigurojnë mbrojtje nga format e sëmundjes të shkaktuara nga lloji Omikron, nga të dhënat preliminare është e qartë se mbrojtja është maksimalizuar me dozën e tretë të vaksinës tonë.”,- thonë nga Fajzer.
Drejtori i kësaj kompanie, Albert Bourla, nuk e ka përjashtuar mundësinë edhe për një dozë të katërt për t’u mbrojtur nga varianti i ri Omicron, por ai vlerësoi se doza e katërt do të merret rreth një vit pas të tretës.
Ai gjithashtu ka thënë se Pfizer po vlerëson nëse nevojiten modifikime në vaksinën aktuale për të ofruar mbrojtje më të mirë kundër variantit Omicron, ose varianteve të tjera të ardhshme, ose nëse do të nevojitet një vaksinë krejtësisht e re.
GYLTENE SINANI
