Botë

Gabriel Eskobar viziton Shqipërinë, takimi i parë me kreun e PD-së, Lulzim Bashën

09.12.2021 18:13

Zëvendës-ndihmës-sekretari i Shtetit i ShBA-ve për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar...

Zëvendës-ndihmës-sekretari i Shtetit i ShBA-ve për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, gjatë vizitës në Tiranë, ka zhvilluar takimin e parë në selinë e Partisë Demokratike, me kreun e kësaj partie, Lulzim Basha, ndërsa ishte i shoqëruar edhe nga ambasadorja, Yuri Kim.
 
“Është vizita ime e parë në Shqipëri dhe isha shumë i lumtur që fillimisht të takohesha me opozitën. Edhe ata kanë shprehur angazhimin e tyre ndaj NATO-s, ndaj integrimit evropian, si dhe luftës kundër korrupsionit. Jemi të kënaqur që jemi pjesë e kësaj, përfshirë edhe përpjekjet tona të forta kundër korrupsionit, por për ta kthyer këtë në realitet do të nënkuptojë një përkushtim i fortë nga institucionet shqiptare. Pres me kënaqësi të zhvilloj edhe bisedimet të tjera.”,- tha zëvendës-ndihmës-sekretar i ShBA-ve për Europë dhe Euroazi, Gabriel Eskobar.
 
Kryedemokrati Basha u shpreh se u fol për aktualitetin politik në Shqipëri, por edhe më gjerë në rajon. Kreu i demokratëve ka thënë gjithashtu se interesi i PD-së është pikërisht lufta kundër korrupsionit, angazhim i marrë edhe nga aleati strategjik i Shqipërisë, SHBA-të.
 
Siç është bëre e ditur edhe nga vetë Lulzim Basha, në takimin me Eskobar është diskutuar edhe rreth shpalljes “non grata” të ish kryeministrit, Sali Berisha. Në mbrëmje pritet që zyrtari i lartë amerikan do të zhvillojë takim edhe me kryeministrin, Edi Rama, pa praninë e mediave. 
 
LEUNORA KALIQI