Maqedoni
Lustrohet edhe ish-ministri i Drejtësisë
19.12.2014 16:31
Komisioni për Verifikimin e Fakteve, sot publikoi të dhëna se ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-ambasadori i Maqedonisë në Sofje, Gjorgji Spasov...

Komisioni për Verifikimin e Fakteve, sot publikoi të dhëna se ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-ambasadori i Maqedonisë në Sofje, Gjorgji Spasov, ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit.
Në dokumentet të cilat i publikoi komisioni, thuhet se Spasov e ka njoftuar shërbimin për disa qytetarë maqedonas, të cilët kanë qenë të vlerësuar si anarkist dhe liberal.
“Ne në tre dosje kemi konstatuar se Gjorgi Spasov në një periudhë të caktuar ka dhënë informata për Shërbimet Sekrete. Ne nuk kemi për qëllim me këto dokumente të publikuara të etiketojmë ose nënçmojmë dikë, por komisioni thjeshtë është formuar për t’i hapur të gjitha dosjet dhe për t’i shpallur të gjithë personat të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete, apo shpërndarës të informacioneve të ndryshme nga shteti”- deklaroi kryetari i Komisioni për Verifikimin e Fakteve, Tome Axhiev.
Nga ana tjetër, Gjorgji Spasov në reagimin e tij theksoi.
“Asnjëherë nuk ka bashkëpunuar me Shërbimin e dikurshëm të Sigurimit Shtetëror dhe ky lloj i konstruksionit politik, i përpunuar mbi baza të vërejtjeve të caktuara zyrtare prej policëve komunal të UDB-së së atëhershme, një ditë do të demaskohet”.
Spasov, ka theksuar se ndaj këtij vendimi do të ankohet deri tek Gjykata Administrative dhe nëse vendimi i asaj gjykate do të jetë i padrejtë, drejtësinë do ta kërkojë me ankesë deri tek Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Komisioni për Verifikimin e Fakteve, sot njoftoi se është lustruar edhe ish-shefi i Shërbimit Shtetëror të Manastirit, Ice Damçevski, i cili, sipas komisionit, ka mbledhur dhe dhënë urdhër për përcjelljen e personave të cilët kanë qenë në interes të shërbimit.
ADNAN HAJDARI
