Maqedoni
Propozim-buxheti 2022, Besimi: Rimëkëmbje dhe rritje ekonomike
10.12.2021 15:41
Rimëkëmbja ekonomike, kujdesi për mbrojtjen e shëndetit të popullatës...

Rimëkëmbja ekonomike, kujdesi për mbrojtjen e shëndetit të popullatës, rritja e investimeve dhe financimi i pandërprerë i funkcioneve themelore të shtetit janë katër qëllimet të cilat sipas ministrit të financave Fatmir Besimi synon t’i arrijë buxheti i planifikuar për vitin 2022. Rritja ekonomike do të përshpejtohet që sipas planifikimeve pritet të jetë 4,6% e bazuar kryesisht në rritjen e investimeve, konsumit dhe stabilizimit të kërkesës së jashtme tha Besimi.
“Në vitin 2022 rritja ekonomike pritet të përshpejtohet dhe ajo është në projekcionet e vitit 2022 dhe planifikojmë rritje prej 4,6% të rritjes ekonomike, kryesisht e bazuar në rritje të investimeve por edhe të konsumit si dhe të stabilizimit të kërkesës së jashtme. Investimet bruto pritet që të rriten për 8,5% në bazë reale dhe të jenë një faktorë i rëndësishëm i rritjes për vitin 2022. Konsumi projektohet të rritet në 3,1% ndërsa si ai publik poashtu ai privat dhe ky i fundit me 3,5%.”, tha Fatmir Besimi, ministër i financave.
VMRO-DPMNE: Buxheti është joreal dhe jozhvillimor
Për VMRO-DPMNE-në Projekt-buxheti është joreal dhe jozhvillimorë me shum shpenzime joproduktive.
“Para nesh kemi propozim buxhetin nistorikisht më i lartë, joreal dhe jozhvillimor me kosto shumë joproduktive. Ky është një buxhet me një deficit të lartë buxhetor prej 4.3% ose 543 milionë euro që do të sjellë një borxh publik rekord prej 69% të PBB-së, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë fiskale apo nëse shteti do të jetë në gjendje të paguajë detyrimet e tij.”, tha Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Buxhet me akcent për rritje ekonomike
Por nga LSDM thonë se Propozimi-buxheti është zhvillimorë dhe projektuar në bazë të zhvillimeve ekonomike globale.
“Propozim-buxheti për vitin 2022 është zhvillimorë me akcent për rritje të shpenzimeve kapitale. Janë ulur shpenzimet joproduktive dhe gjithsesi është planifikuar edhe pagesa e rregullt e rrogave, pensioneve dhe transfereve sociale me parashikime për rritjen e rrogave në sektorë të caktuar.”, tha Marija Georgievska nga LSDM.
Buxhetin që Qeveria ka dorëzuar në Kuvend planifikon të mbledhë 3.9 miliardë euro në arkën e shtetit vitin e ardhshëm, por në të njëjtën kohë të shpenzojë 4.4 miliardë euro. Debati në seancë plenare zgjat 5 ditë.
NAIM RAMADANI
