Botë
Tragjedi në Australi, theren me thikë tetë fëmijë
19.12.2014 16:44
Një masakër e vërtetë ka tronditur sërish Australinë, ku 8 fëmijë u vranë me thikë në rrethana ende të paqarta, në një banesë në qytetin Keirns...

Një masakër e vërtetë ka tronditur sërish Australinë, ku 8 fëmijë u vranë me thikë në rrethana ende të paqarta, në një banesë në qytetin Keirns, në veri të shtetit Kuinslend. Lagja ku ndodhi masakra është e banuar kryesisht nga indigjenët e Australisë, e njohur për nivel të lartë kriminaliteti.
Policia gjeti në brendësi të saj edhe një grua 34 vjeçare të plagosur rëndë, gjendja shëndetësore e të cilës është stabile.
Forcat e rendit thanë se viktimat janë të moshave nga 18 muaj deri në 15 vjeç.
Masakra u zbulua nga një 20 vjeçar, që rezulton të jetë vëllai i viktimave, pak para mesditës me orën lokale. Policia tha se gruaja e plagosur po i ndihmon autoritetet për zbardhjen e krimit, ndërsa konfirmoi se një person i afërm i familjes pak ditë më parë kishte dalë nga burgu.
"Policia mbërriti në vendin e ngjarjes. Kemi tetë persona të vdekur, që kanë qenë brenda në objekt. Këto ngjarje janë jashtëzakonisht shqetësuese për të gjithë policinë, oficerët janë të shokuar nga kjo. Ne kemi një grua 34 vjeçare që na ndihmon aktualisht me rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike që ka ndodhur këtu"- deklaroi inspektori, Bruno Asnicar.
"Tetë fëmijë janë të vrarë me thikë, të gjithë janë goditur në kraharor, shtatë prej të cilëve janë fëmijët e gruas së plagosur, ndërsa i teti kushëri i tyre. Ky është një tmerr i vërtetë”- tha fqinja, Lisa Thaiday.
Deri tani askush nuk është arrestuar për këtë ngjarje të rëndë. Policia dyshon se shkak për të ka qenë ndonjë konflikt momental familjar.
VALBON BEXHETI
