Kuvendi kombëtar i thirrur nga Sali Berisha nis votimin për shkarkimin e Lulzim Bashës
Pas tre muajsh në praninë e 4.935 delegatëve....

Pas tre muajsh në praninë e 4.935 delegatëve të mbledhur nga Sali Berisha në “Air Albania”, Kuvendi Kombëtar ka filluar zyrtarisht punimet.
Delegatë do të votojnë për shkarkimin e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me argumentin se ka thyer statutin duke dëmtuar rëndë interesat e PD-së.
Kuvendi ka filluar votimin e fshehtë për shkarkimin e Bashës dhe me 18 dhjetor do të mbahet referendumi për të konfirmuar vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike.
Delegatët do të votojnë edhe për shkarkimin e katër nënkryetarëve.
Me datë 22 mars, Kuvendi Kombëtar i PD-së, do të mblidhet përsëri për të zgjedhur strukturat e reja të PD-së.
Deri në ditën e zgjedhjeve, drejtimin e partisë e mer një komision i përkohshëm i përbërë nga 29 anëtarë. Berisha këtë ditë e quajti si një nga ngjarjet më të mëdha në historinë e lirisë së një kombi.
Këtë ngjarje ai e quajti si mesazhin, “më të bukur, më të madh, më të fuqishëm që i dërgojnë sot shqiptarëve kudo që gjenden, si dhe miqve tanë konservatorë në Evropë”.
Ai e mbylli duke deklaruar se kreu aktual Lulzim Basha është i ftuar të marrë pjesë në këtë ditë “të jashtëzakonshme” të demokratëve.
Në krah të Berishës shihen nga radhët e PD-së Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Flamur Noka, Oerd Bylykbashi, Tritan Shehu, ish-presidenti Bujar Nishani dhe mijëra delegatë dhe mbështetës të Berishës.
Përplasjet mes Bashës dhe Berishës, erdhën pas vendimit të SHBA-së për shpalljen non-grata të ish-kryeministrit, masë që pasoi me përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së më 9 shtator.
