Maqedoni

Analistët: Ivanov, personalitet jounifikues

19.12.2014 17:35

Bojkoti i deputetëve shqiptarë dhe mungesa e opozitës maqedonase në fjalimin e fundvitit të presidentit të shtetit...

Bojkoti i deputetëve shqiptarë dhe mungesa e opozitës maqedonase në fjalimin e fundvitit të presidentit të shtetit, sipas analistëve politik, Albert Musliu dhe Ibrahim Mehmeti, nënkupton se kryetari, Gjorge Ivanov, është figurë jounifikuese dhe joautoritare, pasi nga mandati i parë dhe deri më tani nuk ka mundur të sigurojë as edhe një takim për dialog politik mes partive në vend. 
 
“Kjo edhe vetë veprimi i kryetarit prej ditës së rizgjedhjes reflekton postin e tij, personalitetin e tij dhe mënyrën në të cilën është zgjedhur. Për opozitën maqedonase ai nuk është kryetar, madje edhe kur i drejtohen i drejtohen me emër dhe mbiemër, ndërsa për elektoratin shqiptar nuk është legjitim, nuk është kryetar i cili është zgjedhur me procedurë të kapshme dhe të pranueshme për popullatën shqiptare. Prandaj edhe funksionin e vetë për disa muaj me radhë, përderisa politika ballafaqohet me bojkot të opozitës, ai nuk e ka kredibilitetin dhe legjitimitetin të iniciojë një dialog politik që të tejkalohet kjo fazë, e cila na reflektohet edhe në raportin e KE-së dhe në zhvillimet e përgjithshme politike”- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
 
Analisti, Ibrahim Mehmeti, thotë se kjo është edhe një shembull ilustrativ për mungesën e dialogut politik dhe është një temë që e kanë identifikuar jo vetëm vëzhguesit e brendshëm, por edhe vëzhguesit e jashtëm.
 
“Kjo ishte vetëm një kulminacion i kësaj mungese të dialogut, ku kryetari i shtetit, si një simbol i unitetit të shtetit, megjithatë nuk arrin të sigurojë një konsensus ose së paku një bashkëpunim elementar ndërmjet subjekteve të ndryshme politike, nuk arrin të sigurojë një dialog ose një bashkëbisedim edhe për çështjet që janë të përbashkëta për shtetin, dhe kjo është një problem serioz për Maqedoninë. Mirëpo përshtypja ime është se kjo nuk kuptohet aq seriozisht nga ana e vendimmarrësve, që sa është me rëndësi që të ketë përpjekje më të mëdha nga vendimmarrësit, do të thotë nga ata që e kanë pushtetin, që të sigurojnë një president ose një dialog minimal ndërmjet subjekteve të ndryshme politike”- tha analisti politik, Ibraim Mehmeti.
 
Presidenti i Shtetit, Gjorge Ivanov, dje në fjalimin e tij para deputetëve është bojkotuar nga deputetët e BDI-së, ndërsa në sallë kanë munguar edhe deputetët e opozitës maqedonase, të cilët bojkotojnë punën e Kuvendit.
 
Ndërsa të pranishëm kanë qenë vetëm deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së, por edhe përfaqësuesit  e ftuar të institucioneve tjera dhe kori diplomatik.
 
MEFAIL ISMAILI