Mikrobiologu Osmani: Omicron mund të ulë ndikimin e vaksinave

12.12.2021 13:25

Përhapja e mutacioneve të reja të virusit Sars Cov 2....

Përhapja e mutacioneve të reja të virusit Sars Cov 2 janë përpjekje të këtij virusi për të shmangur arritjen e imunitetit kolektiv dhe për të mbijetuar, thekson mikrobiologu Dukagjin Osmani.

Ai tha se Omicron bën pjesë në grupin e mutacioneve që paraqesin shqetësim për shkak të përhapjes se shpejtë dhe më vështirë detektohet nëpër disa laboratore. Ky lloj sipas Osmanit, ka fuqi për të ulur ndikimin e vaksinave.

“Mendoj se është ende herët të themi, mirëpo në përgjithësi mund të themi se virusi ka aftësi ti shmanget ndikimit apo mbrojtjes nga vaksinat. Gjithashtu edhe mbrojtjes nga vet organizmi. Në fakt paraqitja e këtyre varianteve në thelb është lufta e përditshme e virusit që ti anashkalon kushtet jo të volitshme për jetë për vet virusin, ato do të kishin qenë vet mbrojtja nga organizmi, pra sistemi imun i organizmit, pastaj sistemi imun i arritur nga vaksinimi si dhe nga terapia për kurimim ndaj këtij virusi” – u shpreh mikrobiologu Dukagjin Osmani.

Osmani: Kemi marrë rekomandimet e duhura

Edhe pse Omicron ende nuk është i pranishëm në vendin tonë, Osmani thotë se të gjitha institucionet shëndetësore kanë bërë pergaditjet e duhura, në bazë të rekomsndimeve nga OBSH. Rol mjaft pozitiv sipas tij në informimin e punonjësve shëndetësor po kryejnë edhe mediat.

“Roli mjaft pozitiv i mediave në përcjelljen e këtyre ngjarjeve ka bërë që edhe në popullatë, por sidomos edhe te punëtorët profesional të përndjeken me vëmendje të mjaftueshme, të jenë në hap me kohën dhe të dinë se çfarë duhet të ndërmarrin sa i përket paraqitjeve të tilla.” – deklaroi Osmani.

Masat parandaluese ndaj këtij lloji mbeten të njëjtat, e ato janë higjiena e duarve, mbajtja e maskës, shmangja e tubimeve si dhe vaksinimi. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)