Maqedoni
Këshilli i BE-së miratoi konkluzionet për RM-në
19.12.2014 17:41
Këshilli Evropian ka nisur samitin, i cili është paraparë që të zgjasë dy ditë, në të cilin pikat kryesore janë plani investues...

Këshilli Evropian ka nisur samitin, i cili është paraparë që të zgjasë dy ditë, në të cilin pikat kryesore janë plani investues dhe pakoja për Bashkimin Evropian, gjendja klimatike, situata në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Rusinë, si dhe miratimi i konkluzioneve lidhur me vendet kandidate për anëtarësim, midis të cilave edhe Maqedonia.
Në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, të martën, ministrat e punëve të Jashtme të vendeve anëtare të unionit i harmonizuan konkluzionet, sipas të cilave për asnjërin nga vendet aspirante nuk jepet shans për progres në eurointegrime, ndërsa sa i përket rekomandimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me Maqedoninë, këshilli do të konkludojë se në këtë çështje do të kthehet vetëm pas konstatimit për progres në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, çështjen për emrin dhe në dialogun inkuadrues të nivelit të lartë.
Gjatë darkës së sotme të punës, shefat e shteteve anëtare të BE-së do të bisedojnë për situatën në Ukrainë dhe Rusi, si dhe mbështetjen e unionit për procesin e reformave në Ukrainë.
Nesër në mëngjes, liderët e BE-së do të kenë mundësi që sërish të mblidhen që t'i rezimojnë diskutimet për çështjet ekonomike dhe t'i miratojnë konkluzionet për procesin e zgjerimit të unionit.
Shefat e shteteve dhe qeverive të anëtareve të unionit pritet që sërish t'i bëjnë thirrje Rusisë që të tërhiqet nga Ukraina Lindore, të ndërpresë me furnizimin me ushtarë dhe pajisje të separatistëve dhe të mundësojë kontroll efikas të kufijve dhe t'i mundësojë OSBE-së kryerjen e misionit të saj.
BE-ja do ta përsërisë edhe mbështetjen ekonomike të Ukrainës, duke e përfshirë ndihmën mikrofinanciare prej 1,6 miliard euro dhe marrëveshje për ndihmë tjetër prej 355 milion euro.
NAIM RAMADANI
