Maqedoni

USHT, nuk e mbështet provimin shtetëror

19.12.2014 18:18

Kuadri akademik dhe studentët pranë USHT-së, u shprehën kundër realizimit të provimit shtetëror...

Kuadri akademik dhe studentët pranë USHT-së, u shprehën kundër realizimit të provimit shtetëror, i cili, sipas tyre, cenon autonominë e universiteteve.
 
Profesorët universitar thonë se ky universitet do t’u thotë jo ligjeve të tilla, që vlerësojnë se nuk janë në të mirën e arsimit sipëror.
 
“Ju kërkoni prej universiteteve kritere akademike shkencore, sepse më shumë na dhemb institucioni ynë. Kërkoni cilësi të mësimdhënies dhe cilësi të njohurive të dijes së studentëve dhe njohuri të mjaftueshme profesionale të atyre, por në anën tjetër, sa keni bë ju si ministri dhe si qeveri, sa i keni ndihmuar këtij institucioni, që vërtetë kërkoni kushte dhe kritere, që i kërkoni sot dhe që i keni propozuar në arsimin e lartë”- deklaroi dekani i Fakultetit Juridik, Mersim Maksuti.
 
“Psikologjia e ligjit, ana historike, anashkalimi, pakujdesi dhe vjedhja e historisë, sepse nuk është askund historia e UT-së e debatuar këtu. Po ashtu, vullneti i qytetarëve, diskriminim, kufizim dhe përfundim, përdhunim i të drejtave të shqiptarëve, prandaj ne dhe shumë të tjerë jo vetëm këtij ligji, por edhe shumë ligjeve të tjera, zoti ministër, u themi “STOP””- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Reagimeve të profesorëve, ministri Ademi iu përgjigj me kërkesën për të dhënë propozim-ndryshime në kohën që ligji është në fazën e përpilimit dhe ka mundësi ndërhyrjesh.
 
“Unë sërish do e them, ne sot nuk duhet të udhëhiqemi nga ajo a jemi apo nuk jemi të diskriminuar, do diskriminohemi apo do e ndërpresim atë. Pres propozim konkret nëse propozimi ynë që pesë universitetet më të mira do organizojnë ciklin e tretë nuk është i mirë, cili është i mirë, ta dëgjoj konkretisht. Ku shkelet autonomia e universiteteve me provimin shtetëror nuk u pyeta, nuk dëgjova, çka nënkupton autonomia dhe a cenohet autonomia me këtë provim apo nuk cenohet, cenohet liria e studentëve, prandaj them më konkret”- theksoi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
 
Në këtë debat reaguan edhe studentët, të cilët kërkonin që provimi shtetëror  të mos modifikohet, por të tërhiqet tërësisht.
 
FLUTURA LATIFI