Maqedoni

Historianët, kundër luanit në stemë

19.12.2014 18:23

Historianë e analistë gjykojnë se propozim-stema me luan është vetëm vazhdimësi e politikave...

Historianë e analistë gjykojnë se propozim-stema me luan është vetëm vazhdimësi e politikave, që kanë për qëllim eksluzivitetin e maqedonasve në shtetformim dhe përjashtimin e shqiptarëve, pa të cilët, sipas tyre, nuk mund të imagjinohet ky shtet.
 
Kjo nismë dëshmon qasjen institucionale ndaj marrëdhënieve ndëretnike, por edhe shpërqendrimin e opinionit nga problemet reale.
 
Projekt-stema  madje paraqitet në një kontekst më të ngushtë, ajo ngjan në një stemë partiake dhe jo në stemë shtetërore, thotë publicisti nga Kosova, Glauk Konjufca. 
 
“Stema e Maqedonisë është vetëm simptoma e gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni, e cila e shpërfaq atë që është shumë më e thellë, e mbrojtur në mënyrë thelbësore. Çka është thelbësorja në këtë rast? Thelbësore është gjendja e juaj, ekonomia. Shikojeni arsimin e shqiptarëve në Maqedoni! Shikojeni punësimin! Shikojeni të ardhurat kombëtare! Shikojeni shpërnguljen dhe zbrazjen!”- deklaroi publicisti nga Kosova, Glauk Konjufca.
 
Luani, në asnjë moment, nuk reflekton identitetin shqiptar, ai është simbol i bullgarëve si tataro-mongol që nga shekulli i shtatë, thotë historiani, Nebi Dervishi.
 
Sipas tij, pretendimet se luani ka qenë edhe simbol i shqiptarëve janë të pabaza, pasi ai kurrë nuk ka qenë simbol unifikues i të gjithë shqiptarëve.
 
“Si element, stema te shqiptarët për herë të parë, sikurse edhe në shtetet e Evropës, në shekujt 12-15, kur paraqiten stemat edhe tek shqiptarët, sidomos te Principata e Arbërit, 1190-1216, është paraqitur shqiponja me një kokë”- tha historiani, Nebi Dervishi.
 
Ndërkaq, publicisti, Kim Mehmeti, thotë se projekt-stema është në vazhdën e shpërfytyrimit të vendit, në harmoni me projektin “Shkupi 2014”.   
 
“Çfarë prisnim ne, që në stemë të jetë shqiponja?! Jo. Duhet të vazhdojë fryma, e cila ka nisur që moti. Ajo është fryma që këtij shteti t’i shlyhet… d.m.th. ky shtet nuk ka problem me stemën, ka problem me fytyrën e tij, çfarë makijazhi ti i jep. Dhe shumë qartë do t’ia japë makijazhin e shtetit njëetnik, shtetit ortodoks dhe fund”- theksoi publicisti, Kim Mehmeti.
 
Projekt-stema shtetërore ka hapur debat të gjerë në shoqëri. Historianë, analistë, por edhe opinioni më i gjerë shqiptar janë kundër stemës me luan, pasi shqiptarët në asnjë periudhë historike nuk janë identifikuar me këtë simbol.
 
SHPËTIM NUREDINI