Maqedoni

Heqja e vetos, bashkëpunimi Shkup–Sofje, Petkov: Propozim i ri, korniza kohore e afatizuar

14.12.2021 14:48

Kryeministri i ri bullgar, Kiril Petkov, ka dhënë sinjal se Sofja zyrtare është e gatshme t'i japë fund bllokadës ndaj RMV-së...

Kryeministri i ri bullgar, Kiril Petkov, ka dhënë sinjal se Sofja zyrtare është e gatshme t'i japë fund bllokadës ndaj RMV-së, në rrugën e saj drejt BE-së. Në një intervistë për “Financial Times”, Petkov ka thënë se do të propozojë një kornizë të shkurtër gjashtëmujore për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Maqedoninë e Veriut. 
 
"Ne do t'i propozojmë një proces të ri Maqedonisë së Veriut, shumë të shpejtë, me një kornizë kohore të kufizuar, që do të zgjasë vetëm gjashtë muaj. Ne do të formojmë grupe pune për të gjetur zgjidhje për çështjet e aktivitetit të përbashkët ekonomik, infrastrukturës, kulturës dhe historisë.”,- deklaroi kryeministri i Bullgarisë për “Financial Times”, Kiril Petkov.
 
Petkov nuk pret të ketë probleme në tejkalimin e mosmarrëveshjes me fqinjin nga partia e Sllavi Trifonov, kandidatja e të cilit do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Jashtme bullgare. Lidhur me përmirësimin e raporteve mes Sofjes dhe Shkupit zyrtar, mediat bullgare kanë publikuar një dokument të nënshkruar mes partnerëve të koalicionit qeverisës ku thuhet se marrëdhëniet do të përmirësohen "në një frymë konstruktive".
 
Sipas dokumentit, hapi i parë është aktivizimi i punës së komisioneve dypalëshe të parashikuara në Marrëveshjen e 2017, përmes një kalendari takimesh mujore. Më pas intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e transportit, duke përfshi  lidhjen direkte ajrore Sofje-Shkup, Korridorin 8, mbështetjen financiare për lidhjen hekurudhore. Sipas dokumentit të nënshkruar mes partnerëve të koalicionit është paraparë edhe vazhdimi i punës së Komisionit për Çështje Historike dhe Arsimore. Bullgaria pret nga autoritetet e RMV-se, të ofrojnë mbrojtje të përhershme kundër diskriminimit dhe të drejta të barabarta për etninë bullgare në RMV, si pjesë përbërëse e vlerave evropiane.
 
SANIJE DURAKU