Maqedoni

Covid-19, gjysmë milion vaksina në 2022, 10 mijë për fëmijë.

15.12.2021 13:57

Nuk ka raste të regjistruara me llojin Omicron të virusit Korona në vend, aktualisht dominon lloji Delta...

Nuk ka raste të regjistruara me llojin Omicron të virusit Korona në vend, aktualisht dominon lloji Delta, bën të dituri Ministria e Shëndetësisë. Nga Klinika Infektive në Shkup rekomandojnë që qytetarët të vaksinohen, përfshi edhe me dozën e tretë, pasi rritet imuniteti edhe ndaj llojit Omicron. Vitin e ardhshëm do të sigurohen gjysmë milion vaksina Fajzer, prej të cilave 10 mijë doza pediatrike për vaksinim të fëmijëve nga 5 deri në 12 vjeç. Vaksinat për fëmijë pritet të arrijnë në tre muajt e parë të vitit 2022.
 
“Do të jenë10,000 doza pediatrike për vaksinimin e fëmijëve nga 5 deri në 12 vjeç, ose 1 për qind e numrit të përgjithshëm të fëmijëve të asaj moshe. Vaksina do të jetë nga Fajzer, vaksinimi është shumë i rëndësishëm, njëherit theksoj se të gjithë ata fëmijë që do të vaksinohen është e detyrueshme që të vijnë me prindër. Po ashtu e rëndësishme është që qytetarët të dinë që edhe me këtë vendim vaksina për Covid-19 do të ketë në sasi të mjaftueshme.”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Dusho Arsovski.
 
Ministria e Shëndetësisë: Me dy doza është vaksinuar 48% e popullsisë
 
Imunizimi i popullatës vazhdon. Deri tani gjithsej janë aplikuar 1 milion e 736 mijë e 243 doza të vaksinave, me të cilat janë vaksinuar 838 mijë e 987 persona. Me dy doza janë vaksinuar 48% e popullatës, 22% e qytetarëve të vaksinuar mbi 60 vjeç kanë marrë dozën e tretë të vaksinës. 


GYLTENE SINANI