Maqedoni

Rritja e çmimit të energjisë elektrike, 1 000 den. ndihmë për kategoritë sociale e pensionistët

15.12.2021 14:32

35 mijë familje me rrezik social dhe 9 mijë pensionist me të ardhura të ulëta do të përfitojnë nga 1 mijë denarë në llogaritë e tyre....

35 mijë familje me rrezik social dhe 9 mijë pensionist me të ardhura të ulëta do të përfitojnë nga 1 mijë denarë në llogaritë e tyre, si ndihmë shtesë për t’u përballur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në këtë drejtim qeveria  ka ndarë 5 miliard denarë për përballje efektive ndaj krizës energjetike. Ashtu si do të zhvillohet situata me krizën ekonomike, ashtu do të jenë edhe reagimet e shtetit, thotë ministri i financave, Fatmir Besimi.
 
“Pra rreth 45 mijë shfrytëzues do të jenë pranues të 1 mijë denarëve për energjinë elektrike, program i cili ishte me reformat paraprake të harmonizuara në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe edhe Ministrinë për Punë dhe Politike Sociale ka paraparë mjete për këtë qëllim. Sa i përket çmimeve të produkteve ushqimore, tashmë ka masa që janë miratuar nga ana e qeverisë dhe të cilat do të jenë në fuqi deri në fund të janarit.”,- tha ministri i financave, Fatmir Besimi.
 
Siguroi ndërkohë edhe se denari është stabil, e porositi mos të spekulohet në lidhje me kursin devizor, për shkak se një gjë e tillë  nuk i bëjnë dobi askujt. Besimi potencoi se me propozim-buxhetin për vitin 2022 nuk janë planifikuar mjete për K-15 në sektorin publik.
 
ZEKIRJA MEXHITI