Maqedoni
Aksidenti në Llaskarcë, pritja e ekspertizës së re po zvarrit rastin
15.12.2021 15:32
Edhe pas pothuajse 3 vitesh nga aksidenti tragjik me autobusin e Kompanisë “Durmo Turs” në Llaskarcë...

Edhe pas pothuajse 3 vitesh nga aksidenti tragjik me autobusin e Kompanisë “Durmo Turs” në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona dhe 38 mbetën të lënduar, procesi gjyqësor akoma pa epilog përfundimtar. Seanca e fundit më 14 dhjetor dhe ajo e paraparë për 16 dhjetor janë anuluar për shkak të pritjes së rezultateve nga super-ekspertiza për të cilën vendosi trupi gjykues në seancën e fundit. Familjarët e viktimave dhe prokuroria shprehën pakënaqësinë e tyre lidhur me vendimin për ekspertizë të re. Nga prokuroria thonë se kanë kërkuar përjashtimin e institucionit Fakulteti Teknik në Manastir të kryejë ekspertizën dhe se njëjta ka qenë e panevojshme dhe se stërgjatë gjykimin.
“Institucionit që i është caktuar të bëjë super-espertizën, është Fakulteti Teknik në Manastir. Mbrojtja e ka shfrytëzuar njërin nga personat ekspertë që punon në këtë institucion dhe me arsye pritet anshmëri për çka është dorëzuar propozim me shkrim deri tek gjykata me kërkesë për përjashtimin e këtij institucioni për të cilin akoma nuk është vendosur. Akoma nuk ka vendim nga gjykata, sepse sikur të kishte vendim, prokuroria do të ishte e njoftuar.”,- deklaroi Elizabeta Pavlovska nga Prokuroria Publike.
Nga Gjykata Penale në Shkup për TVM2 theksojnë se nga prokuroria nuk është paraqitur asnjë kërkesë me shkrim për përjashtimin e Fakultetit Teknik në Manastir që të kryejë super-ekspertizën përveç kërkesë publike në seancën e fundit gjyqësor. Në bankën e të akuzuarve për këtë rast janë pronari i “Durmo Turs”, Durmish Beluli, përgjegjësi i autobusëve, Remzi Miftari, ish i punësuari në kontrollin teknik, inxhinieri Igor Gjerogjievski, Goran Dukovski, Jane Bovarovski dhe shoferi, Manoil Trufunovski.
FLORIJE BELULI KAMBERI
