Maqedoni

Eurointegrimet, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme

15.12.2021 16:00

Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi Këshilli për Çështje të Përgjithshme...

Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi Këshilli për Çështje të Përgjithshme refuzoi nisjen e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se vetëm një qeveri e re do të kthejë vendin në kursin euroatlantik dhe nxjerrjen e vendit nga kriza politike. Në të njëjtën vijë edhe nga Lëvizja Besa.
 
“Konsiderojmë që një pushtet tjetër do të jetë më i përshtatshëm, i pakorruptuar dhe i pakriminalizuar. Vetëm një qeveri e tillë më mirë do t’i menaxhojë punët. Kuptohet se jemi për zgjedhje të parakohshme. Kanë një shumicë të brishtë me 64 deputetë, shteti është në krizë.”,- tha deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
 
“Eksponentë që eurointegrimet i kanë vetëm mbulesë për krimin dhe korrupsionin, për kapjen e shtetit dhe tendencat për të kthyer një regjim hibrid janë dëshmi të mjaftueshme që një ditë e më parë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe legjitimiteti ti kthehet popullit dhe prej aty të burojë legjitimitet i ri politik i një shumice të zgjedhur nga populli për ta kthyer kursin eurointegrues të vendit jo vetëm në formë deklarative, por edhe me hapa konkretë.”,- theksoi zëdhënësi i lëvizjes Besa, Faruk Abdiu.
 
Nga VMRO–DPMNE komentet për procesin integrues të vendit do t’i thonë pasi të përmbyllet takimi i këshillit të ministrave, ndërkohë me marrjen e përgjigjes negative presin që Alternativa të braktisë qeverinë.
 
“Nëse nuk marrim datë, presim që Alternativa të dalë nga qeveria, pasi që arsyeja e vetme që dhanë tanimë nuk ekziston për pjesëmarrjen e tyre në qeveri.”,- u shpreh zëdhënësi i VMRO–DPMNE-së, Naum Stoillkovski.
 
Edhe E Majta e cilëson si të delegjitimuar pushtetin aktual.
 
“Ne jemi për zgjedhje të parakohshme parlamentare në çdo moment, por në përputhje me fuqitë dhe disponimin në teren, mendoj se para shtatorit të vitit 2022 nuk do të ketë zgjedhje.”,- potencoi deputeti i Së Majtës, Dimitar Apasiev.
 
LSDM: Nuk është koha për zgjedhje
 
Nga LSDM thonë se shumica qeverisëse është stabile dhe mbetet e përkushtuar në synimet strategjike duke kundërshtuar kategorikisht zgjedhjet e parakohshme.
 
“Qëndrimi i LSDM-së për zgjedhjet e parakohshme është i qartë. Ne konsiderojmë se nuk është koha dhe nuk ka nevojë për zgjedhje, por koha është për përgjegjësi ndaj krizës energjetike, situatën me pandeminë dhe e gjithë ajo me të cilën po përballemi.”,- deklaroi zëdhënësja e LSDM–së, Bogdanka Kuzeska.
 
Të enjten dhe të premten mbahet Samiti i Këshillit të Ministrave të BE-së ku do të vuloset vendimi për hapje e negociatave me BE-në edhe pse ditë më parë Këshilli për Punë të Përgjithshme doli me konkluza, ku nuk u përfshi data për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut.
 
MERAL ISMAILI