Pendarovski në Prishtinë, angazhim për bashkëpunim të ndërsjellë

15.12.2021 17:05

Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski....

Presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski, gjatë vizitës zyrtare në Kosovë u prit me nderimet më të larta shtetërore nga homologia e tij, Vjosa Osmani. Gjatë takimit Pendaroski-Osmani, u diskutua për të gjitha çështjet bilaterale ku janë të përfshira këto dy shtete dhe u dha një konstatim se ky bashkëpunim duhet të thellohet edhe më shumë.

“Para pak kohësh u mbajt mbledhja e parë e përbashkët e qeverisë së të dy shteteve ku janë nënshkruar 11 marrëveshje bilaterale dhe pres që realizimi i tyre të nënkuptojë përparim të lidhjeve ekonomike dhe fitime konkrete në interes të qytetarëve tanë.”,- deklaroi presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.

“RMV është pjesë e NATO-s aty ku ne synojmë të anëtarësohemi dhe ku meritojmë të anëtarësohemi, sepse një proces i tillë do të kontribuonte dhe më tej për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin perëndimor, por procesi i integrimit europian mbetet edhe më tej prioritet mbi prioritetet.”,- u shpreh presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Open Ballkan”, Pendarovski e Osmani me rezerva për iniciativën

Pendarovski dhe Osmani me rezervë për iniciativën “Open Ballkan”, padyshim është prekur dhe marrëdhënia Kosovë-Serbi.

“Iniciativës i mungon diçka sepse në vend se të marrin 6 shtetet  në  Ballkanit Perëndimor marrin pjesë vetëm gjysma e tyre dhe qëndrimi ime është se përderisa nuk përfshihen të gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor, kjo nuk do të ketë sukses.”,- theksoi presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.

“Nuk është ndërtuar në përputhje me parimet themelore të bashkëpunimit ndërfqinjësor që ndër të tjera kanë të bëjnë me gjithëpërfshirjen që nga momenti i parë dhe që nga lindja e iniciativa të tilla dhe e dyta nuk e pranon parimin e pabarazisë apo tatimin e barabartë të të gjitha 6 shteteve të Ballkanit perëndimor. Përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën dhe nuk është e gatshme që dhe Republikën e Kosovës ta trajtojë në mënyrë të barabartë si kurse dhe shtetet e tjera në iniciativa rajonale natyrisht ne shohim që në një iniciativë të tillë Serbia dëshiron ta shfrytëzojë për ekspansion të interesave të saj hegjemoniste.”,- tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Lagjja e Trimave”, Osmani: Hetimi ndërkombëtar mund ta zbardhë rastin

Gjithashtu u prek dhe çështja e “Lagjes së Trimave”, në këtë rast presidentja Osmani kishte një përgjigje diplomatike, ajo thotë se pritet që rasti të marrë epilog përfundimtar në Gjykatën Supreme dhe më pas Ministria e Drejtësisë së Kosovës dhe RMV-së do të shohin se çfarë mund të bëjnë në këtë drejtim.

“Pasi të japë verdiktin Gjykata Supreme juridikisht dhe të ezaurohen të gjitha mjetet juridike sa i përket proceseve gjyqësore brenda RMV-së, mirëpo ne e kemi parë që dhe vet kryeministri Zaev ka shprehur gatishmërinë që mund të ketë hetim ndërkombëtar apo dhe përfshirje të ekspertëve nga jashtë që do të ballafaqojnë provat lidhur me këtë rast dhe do të ndihmojnë që të zbardhet rasti deri në fund. Në këtë drejtim Republika e Kosovës do të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme.”,- theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, presidenti Pendarovski vizitoi komandën rajonale të KFOR-it në Pejë dhe pjesëtarët e kontingjentit të RMV-së në përbërjen e KFOR-it. Kjo është vizita e parë e presidentit, Stevo Pendarovski, në Republikën e Kosovës pas marrjes së detyrës në vitin 2019. (Sanije Kasami, TVM2)