Maqedoni
Kontesti RMV-Bullgari, Pendarovski: Mund të zgjidhet më shpejt se 6 muaj
15.12.2021 17:51
Qasja e kryeministrit të ri bullgar, Kiril Petkov, se historia nuk duhet të jetë kanali i vetëm i komunikimit...

Qasja e kryeministrit të ri bullgar, Kiril Petkov, se historia nuk duhet të jetë kanali i vetëm i komunikimit, është i pranueshëm për presidentin, Stevo Pendarovski, por jo edhe afati kohor prej gjashtë muajsh. Gjatë vizitës në Kosovë, Pendarovski potencoi se nuk ka nevojë për zvarritje të procesit të tejkalimit të dallimeve, e se çështjet e hapura në fushat e tjera mund të zgjidhen shumë më shpejt.
Megjithatë, edhe nëse nuk ka marrëveshje dhe RMV vazhdon të mbetet jashtë procesit për një kohë të gjatë, Pendarovski është i bindur se nuk ka vend për frikë nga destabilizimi eventual.
“Nuk ka asnjë paralajmërim se nëse presim më gjatë për një çështje të pazgjidhur me Bullgarinë dhe nuk nisim negociatat me Bashkimin Europian mund të ndodh destabilizim, qytetarët duhet të jenë të qetë dhe nëse u intereson qasja nga ana e Bullgarisë unë e kam të pranueshme qëndrimin e kryeministrit bullgar, i cili thotë se historia nuk duhet të jetë kanali i vetëm që dy shtetet duhet të bisedojnë, nuk e mbështes afatin kohor prej 6 muajsh, por mund të them se ky kontest mund të zgjidhet edhe në një afat më të shkurtër.”,- u shpreh presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
Në Sofje dominon retorika e vjetër, Vigenin: Pa përmbushur kërkesat tona, veto mbetet
Por, me gjithë shpresën e Pendarovskit, në Sofje dominon retorika e vjetër. Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e socialistëve në pushtet, Kristian Vigenin, tha për mediat bullgare se vendi i tij nuk do të devijojë nga vijat e kuqe dhe se kjo ka qenë edhe pjesë e marrëveshjes në mes partive për themelimin e koalicionit për Qeverinë e re të vendosura në deklaratën e Parlamentit bullgar.
“Derisa RMV t’i përmbushë obligimet dhe kërkesat e palës bullgare, nuk mund të ketë qëndrim të ri për këtë çështje dhe për momentin Bullgaria nuk mund të japë pëlqimin për fillimin e negociatave.”,- u shpreh nënkryetari i Kuvendit dhe nënkryetar i BSP-së, Kristian Vigenin.
Qëndrimin bullgar të enjten në Bruksel do ta konfirmojë edhe presidenti Radev. Bullgaria bllokoi Maqedoninë për të tretën herë në dy vitet e fundit duke shpjeguar se nuk është e gatshme të miratojë kornizën negociuese, e cila është kusht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
FITIM KRYEZIU
