OBSh: Omikron i pranishëm në 77 shtete

16.12.2021 15:57

Lloji i ri i virusit korona Omikron....

Lloji i ri i virusit korona Omikron po përhapet me shpejtësi të madhe. OBSH apelon për respektimin e distancës sociale, mbajtjen e maskave dhe ruajtjen e higjienës.  Varianti i zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe Hong Kong muajin e kaluar tani është raportuar nga 77 vende dhe ndoshta është i pranishëm në shumicën e botës, por nuk duhet të cilësohet si i “butë”, thonë nga OBSH.

Vendet e rajonit gjatë ditëve në vijim do ti ashpërsojnë masat për mbrojtje nga Omikron.

Prej 19 dhjetorit të gjithë udhëtarët që hyjnë në Greqi duhet të jenë të pajisur edhe me një test negativ (PCR), të kryer në 48 orët e fundit dhe të jenë të vaksinuar,  Franca do të reduktojë udhëtimet nga Britania e Madhe për shkak të frikës nga varianti i ri i koronavirusit, Omicron.

Qeveria franceze njoftoi se do të kërkojnë izolim prej së paku 48 orë për të gjithë që vijnë nga Britania e Madhe në Francë, dhe masat e reja do të hyjnë në fuqi të dielën, pas mesnate.

Në Londër Omicron është tani varianti dominues i Covid-19. Nga 1 mijë e 391 rastet e Covid-19 në Londër 721 u klasifikuan si të prekur nga Omikron. Suedia kohëve të fundit është ballafaquar me rritje të shpejtë të numrit të të infektuarve.

Qeveria Suedeze  do të kërkojë edhe nga vizitorët e shteteve nordike të kenë certifikatën e vaksinimit në mënyrë që të kalojnë kufirin.

Suedia gradualisht është duke ashpërsuar masat pas  rritjes  së  rasteve të të infektuarve me variantin e ri të koronavirusit Omikron, dhe rregullat e reja hyjnë në fuqi nga 21 dhjetori.

Gjatë kësaj jave edhe Norvegjia dhe  Danimarka ashpërsuan masat kundër pandemisë.

Në botë numri i rasteve fatale nga virusi korona ka arritur mbi 5.3 milion njerëz. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)