Bekteshi: Rritja e çmimit të energjisë deri në 10%

16.12.2021 16:32

Në janar çmimi i energjisë elektrike do të rritet deri më 10%....

Në janar çmimi i energjisë elektrike do të rritet deri më 10%, theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Pavarësisht asaj se kompanitë energjetike mund të kërkojnë që çmimi të rritet më shumë, vendimin final do ta marrë KRRE dhe ajo nuk do të jetë më shumë se 10%.

Bekteshi sqaroi se tashmë kanë filluar të bëhen modele të reja në pjesën e përcaktimit të çmimit të energjisë elektrike me modelin e bllok tarifave, e cila përfshin uljen e çmimit të rrymës për kategoritë më të rënduara të qytetarëve.

“I qëndroj asaj që thashë dhe do të presim deri në fund të muajit për të parë se cili do të jetë vendimi i KRRE-së. Ne i kemi bërë të gjitha analizat dhe kam qenë i përfshirë unë si ministër i Ekonomisë dhe institucionet tjera – kompanitë energjetike si ESM, EVN, MEPSO dhe sipas analizave tona mbetem në qëndrimin që kam thënë. Nuk do të ketë rritje më shumë se 10 për qind.”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Bytyqi: Pako energjetike për 45 mijë qytetarë

Edhe zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi, garantoi se çmimi i rrymës nuk do të rritet më shumë se 10%. Ai paralajmëroi se po përgaditet një pako energjetike për 45 mijë qytetarë që të zbutet rritja eventuale e çmimit. Ai mbetet decid se çfarëdo mase populiste siç është ngrirja e çmimeve nuk është e qëndrueshme.

“E rëndësishme është që të kemi mjaftueshëm energji elektrike dhe për ketë shkak jemi të përqendruar në prodhimin e energjisë elektrike dhe çmimit, që me të vërtetë do të ishte i qasshëm për qytetarët tanë. Vlerësoj se çfarëdo mase populiste siç është ngrirja e çmimit nuk është e qëndrueshme. Mundet ta ngrini për tri muaj, e pastaj përsëri do të jeni të detyruar ta lëshoni, sepse funksionojmë në një treg liberal.”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi.

Edhe çmimi i ngrohjes qendrore do të varet nga çmimi i gazit natyror, thonë nga qeveria. Me vendim të qeverisë muajin e kaluar u shpall krizë energjetike, pas çka qeveria injektoi rreth 65 milion euro deri te kompanitë energjetike që të stabilizoj tregun energjetik dhe çmimin e energjisë elektrike. (Ersan Pajaziti, TVM2)