Maqedoni

Mickovski: Qeveria me politika avanturistike në diplomaci

16.12.2021 16:47

Qeveria e Zaevit seriozisht e rrezikon procesin integrues të vendit me politikat avanturistike në diplomacinë e vendit...

Qeveria e Zaevit seriozisht e rrezikon procesin integrues të vendit me politikat avanturistike në diplomacinë e vendit, thotë kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski. Ai thotë se Sofja e konsideron Maqedoninë si shtet të dytë bullgar dhe vetëm pas pranimit  të rezolutës së tyre mund të mendojmë për bisedime paraqasëse me Bashkimin Evropian.
 
Lidhur me propozimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për 6 muaj përmes formimit të grupeve punuese, ai mendon se fshihet diçka që është interesi përfundimtar i Sofjes zyrtare dhe siç thotë ai ka dalë nga deklaratat e disa politikanëve bullgarë.
 
“Derisa rezoluta nuk zbatohet pjesërisht ose plotësisht, ne nuk do të mund të marrim datë për fillim të bisedimeve me BE-në. Lëshimet nacionale të cilat janë në ofertë nga ana e Zoran Zaevit dhe kësaj qeverie e shihni se nuk kanë fund, sepse kërkesat e fqinjit tonë lindor gjithashtu janë të mëdha dhe ato janë rezultat i diplomacisë avanturistike të qeverisë tonë. Sa më shumë gjunjëzohen Bujar Osmani dhe Zoran Zaev, aq më të mëdha do të jenë kërkesat e fqinjit tonë.”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
 
Edhe opozita shqiptare ka kritikuar qeverinë për mos-fillimin e bisedimeve. Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi Këshilli për Çështje të Përgjithshme refuzoi nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. 
 
Spasovski: Qytetarët nuk duan zgjedhje, por ekonomi më të mirë
 
Deri sa opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, nga pushteti thonë se nuk është moment i duhur pasi qytetarët janë lodhur nga mbajtja e zgjedhjeve çdo vit. 
 
“Unë pres që të fokusohemi në përgjithësi te qytetarët dhe nevojat e qytetarëve. Aspektet tjera dhe ai synim strategjik për fillimin e negociatave janë të larta në agjendë dhe duhet të jenë të larta në agjendën e Qeverisë, por theksi duhet të jetë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, qytetarët, standardin ekonomik, progresin, gjithçka që presin qytetarët.”,- tha Oliver Spasovski nga LSDM.
 
Pasi presidenti Pendarovski e mirëpriti propozimin e Petkovit, por theksoi se afati 6-mujor është shumë i gjatë për të arritur një zgjidhje, reagoi presidenti bullgar Radev.
 
Bullgaria në raport me Maqedoninë nuk do të udhëhiqet nga afatet, por nga rezultatet, ka thënë Radev, duke aluduar në deklaratat e Petkovit se kontesti mund të zgjidhet për gjysmë viti. 
 
SANIJE DRUAKU