“Java e Cefta-s”, Cefta - një hap drejt integrimit në tregun e BE-së
Përmirësimi i lëvizjes së mallrave dhe tregtia më efikase....

Përmirësimi i lëvizjes së mallrave dhe tregtia më efikase në rajon, standardet globale dhe praktikat më të mira për vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe kontrolleve të përbashkëta ishin temat kryesore në debatin e “Javës së CEFTA-s”. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, theksoi edhe rëndësinë e CEFTA-s për zhvillimin e tregut rajonal dhe rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e pandemisë me Kovid-19.
“Këtë vit arritëm të fillojmë dhe të përfundojmë një punë të rëndësishme në kuadër të Presidencës maqedonase me Organizatën CEFTA dhe zbatimin e Planit të Veprimit për tregun e përbashkët rajonal. Është e jona që të vazhdojmë të përmbushim detyrimet tona dhe ta zhvillojmë më tej Marrëveshjen duke krijuar kushte të favorshme tregtare për sektorin e biznesit dhe duke stimuluar konkurrencën.”,- tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Emir Çikiq, drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s tha se tregtia në rajon po rritet vazhdimisht falë CEFTA-s e cila i ndihmon anëtarët e saj dhe i hap rrugën BE-së për të krijuar një treg të vetëm.
“Maqedonia e Veriut mori një përgjigje pozitive nga autoritetet greke dhe shpresojmë që marrëveshja e parë mes vendeve të jetë në fillim të vitit 2022. I kemi mundësuar palëve që të kryejnë disa nga aktivitetet që kanë të bëjnë me menaxhimin e rrezikut, duke kryer veprime të përbashkëta për menaxhimin e rrezikut ku të gjitha palët janë të pranishme dhe kontrollojnë të njëjtat gjëra, gjë që u mundëson operatorëve ekonomikë të kalojnë kufirin në një kohë më të shkurtër se sa është tani.”,- theksoi drejtori i Sekretariatit të CEFTA-s, Emir Çikiq.
Java e CEFTA-s u organizua në bashkëpunim me partnerë nga Zyra e Bashkimit Evropian për Pronësi Intelektuale, GIZ, USAID Maqedonia e Veriut dhe Forumi i Odës Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, me mbështetjen e Komisionit Evropian. (Sedat Selimi, TVM2)
