Zaev dhe Pendarovski, qëndrime të kundërta për “Ballkanin e hapur”

16.12.2021 19:13

Kryeministri Zoran Zaev, është shprehur i befasuar....

Kryeministri Zoran Zaev, është shprehur i befasuar ndaj deklaratës së një dite më parë të presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, dhënë në Prishtinë se është kundër nismës Ballkani i Hapur, derisa në të nuk marrin pjesë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Është e pakuptueshme se pse dikush do të ishte kundër miqësisë me fqinjët, kundër përafrimit të të rinjve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor dhe kundër shkëmbimit më të lehtë ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit”, ka thënë Zaev për TV21.

“Pamë në të kaluarën se çfarë do të thotë Ballkani i mbyllur dhe për këtë është i paarsyeshëm çdo deklarim kundër Ballkanit të Hapur. Veçanërisht i i pakuptueshëm kur një reagim i tillë negativ vjen nga njeriu i parë i shtetit, i cili duhej të ishte i pari në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Në Maqedoninë e Veriut presidenti i shtetit nuk ka asnjë lloj ingerence në pjesën e lehtësimit të procedurave doganore, në pjesën e futjes së One Stop Shop kalimeve për kalim të shpejtë të kufijve, në pjesën e njohjes së lejeve për punë dhe diplomave, thekson mes tjerash Zaev.

Por, nga kabineti i presidentit thonë se Qëndrimi i presidentit Stevo Pendarovski në lidhje me nismën “Ballkani i Hapur” ka qenë konsistent që nga fillimi, të cilin presidenti ia ka përcjellë personalisht kryeministrit Zoran Zaev pas takimit fillestar në Novi Sad kur u promovua nisma, thonë nga Kabineti i Presidentit si reagim ndaj deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev.

“Presidenti Pendarovski asnjëherë nuk ka qenë kundër forcimit të proceseve ekonomike, lehtësimit të procedurave doganore, qarkullimit të lirë të njerëzve dhe kapitalit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por fakti që gjysma e vendeve të rajonit nuk janë pjesë e nismës për Ballkanin e Hapur e kufizon objektivisht potencialin e saj”, thuhet mes tjerash në reagim.