Botë

Brazili dëbon Fondin Monetar Ndërkombëtar

17.12.2021 13:34

Qeveria braziliane ka larguar Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) pas pakënaqësisë me parashikimet ekonomike të institucionit...

Qeveria braziliane ka larguar Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) pas pakënaqësisë me parashikimet ekonomike të institucionit.

“Ka vite që nuk u duheshin më këtu. Ata qëndruan sepse e duan zierjen me fasule të zeza, mishin, futbollin, bisedat e këndshme dhe herë pas here kritikojnë dhe bëjnë parashikime të gabuara”, tha Paulo Guedes, ministri i financave i Brazilit.

Nga 30 qershori i vitit të ardhshëm, kur përfaqësuesi aktual i FMN-së do të zëvendësohet, Brazili nuk do ta njohë më zyrën e institucionit në kryeqytetin e tij, Brasilia, njoftoi ministri.

“Ne u kemi thënë atyre që t’i japin parashikimet e tyre diku tjetër”, shtoi ai.

FMN ka pranuar të mbyllë zyrën në atë datë, shkruan Financial Times.

Vendimi pasoi kritikat në rritje të Guedes për parashikimet e FMN-së në vitet e fundit, veçanërisht vitin e kaluar gjatë pikut të pandemisë. Ai përmendi vlerësimin e fondit për një rënie prej nëntë për qind të produktit të brendshëm bruto vitin e kaluar, i cili ishte dukshëm më i keq se rënia prej katër për qind e raportuar zyrtarisht nga qeveria.

“Nëse duan, ata mund të mbajnë zyrën e tyre, por ne zyrtarisht themi se nuk na duhen më këtu”, tha Guedes.